Uncategorized

Shtesa të pensionit vetëm për ata që kanë paguar mbi 10 vjet AHV (AVS)

Duke marrë këtë vendim, Dhoma Nacionale ka synuar të parandalojë “migrimin” me qëllim përfitimin e shtesave në fjalë

Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës ka vendosur sot me shumicë votash që shtesat e të ardhurave që u jepen pensionistëve si plotësim për pensionet e tyre të vogla (“Ergänzungsleistungen”), të kushtëzohen, shkruan sda.ch. Kështu, sipas vendimit të dhomës në fjalë, ato do t`u paguhen vetëm atyre pensionistëve që kanë paguar së paku 10 vite kontributet përkatëse (për AHV) gjatë stazhit të tyre të punës, transmeton albinfo.ch.

Duke marrë këtë vendim, Dhoma Nacionale ka synuar të parandalojë “migrimin” me qëllim përfitimin e shtesave në fjalë.

Kjo dhomë e Parlamantit të Zvicrës është marrë me temën e shtesave edhe të mërkurën. Ajo kishte vendosur që pensionistë në nevojë të marrin më shumë para për të paguar qiratë e banesave të tyre. Kështu, në qytet personave që jetojnë vetëm, pa familje, në emrin e pagesës së qirasë do t`u jepen nga 100 franga më tepër, ndërsa çifteve, nga 150 franga. Ndërsa në fshatra, pagesa për personat që jetojnë vetëm, nuk do të rritet.

Shtimi i përmendur ishte më i vogël se ai që kishin kërkuar qeveria e vendit dhe Dhoma e Kantoneve, përcjell albinfo.ch. Kjo dhomë do të merret edhe njëherë, tash si dhomë e dytë, me çështjen e ndihmave shtesë.

Sipas ministrit në sektorin e të cilit bien edhe çështjet sociale, Alain Berset, i cili është aktualisht edhe president i federatës, me vendimin e Dhomës Nacionale pritet të kursehen më shumë se 700 milionë franga. Kjo shumë është trefish më e madhe në krahasim me kursimet që ka propozuar Dhoma e Kantoneve.