Kosova

Shtetet e BE-së frikësohen se kosovarët nuk do të kthehen në vendin e tyre

Kryesorja mbetet frika e shteteve të BE-së, se qytetarët kosovarë nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet për punësim sezonal dhe do të tentojnë të mbesin në vendet e BE-së për të mos u kthyer në Kosovë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se Kosova është afër që të arrijë marrëveshje me disa shtete të Bashkimit Evropian për punësim sezonal.

Sipas tij, ka disa arsye pse po shkaktohen ngecje në këtë proces. Kryesorja mbetet frika e shteteve të BE-së, se qytetarët kosovarë nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet për punësim sezonal dhe do të tentojnë të mbesin në vendet e BE-së për të mos u kthyer në Kosovë.

“Deri tash nuk ka zyrtarisht marrëveshje me asnjë shtet për punësim sezonal. Jemi në negociata me disa shtete të BE-së. Jemi në rrugë të mbarë për të zyrtarizuar diçka të tillë. Jemi duke punuar me Gjermaninë, me Kroacinë, me disa shtete të Bashkimit Evropian”, ka thënë Reçica për Express Intervistën në KTV.

Reçica ka folur edhe për sigurinë në punë duke thënë se ka nisur më herët një fushatë vetëdijesimi, në mënyrë që të parandalohen dëmtimet e mundshme. Ai ka thënë se punonjësit dhe punëdhënësit janë njoftuar se nëse nuk përmirësojnë kushtet në punë, do të merren masa, përcjell albinfo.ch.

Ai ka deklaruar se ka kërkuar nga inspektorati që të jenë më shumë vigjilentë dhe të jenë më aktivë në marrjen e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Sa i përket kategorisë së veteranëve, Reçica është zotuar se si ministri kanë siguruar mjetet e nevojshme për t’i kryer pagesat. Ai është deklaruar edhe për kategorinë e viktimave të dhunës në luftë. Ka treguar se deri tash janë pranuar 400 aplikacione, dhe se komisioni qeveritar tashmë ka proceduar rastet e para.

Reçica nuk ka pranuar të flasë për një numër përfundimtar të kësaj kategorie. Ai ka thënë se afati është i hapur për pesë vjet, dhe se kushdo që e konsideron se i plotëson kriteret duhet të aplikojë.