Opinione

Shteti Helvetik ka nevojë për Ne

Si gjitha shoqëritë edhe ne kishim fatin e njëjtë të përjetonim lëvizjet migruese qysh herët. Tashmë, jo vetëm për ne por për të gjitha shoqëritë bashkëkohore kjo dukur është bërë normale me të cilën  thuajse jemi mësuar.  Sfidë kryesore e Migrimit padyshim është integrimi në rrethin dhe shoqërinë e re. Por sa kemi arritur ne si komunitet shqiptarët të integrohemi në shoqërinë Zvicerane?. A jemi aty ku synuam për vite?  Kjo është një pyetje që duhet shtruar në vazhdimësi.  Një përkushtim dhe angazhim edhe më i madh për përfaqësim në jetën sociopolitike dhe ekonomike do të ishte ajo që ne sot na duhet, ngase përpos kësaj nuk do të gjenim zgjidhje ideale dhe të sigurt të cilën do duhej ta synonim.  Ajo që duhet të na motivoj edhe më tepër në rrugën tonë të integrimit është fakti se shoqëria Zvicerane ka nevoje për ne. Kontributi i gjithë secilit prej nesh është vendimtar që ky vend të mbetet ashtu siç është sot. Jo më kot thuhet, nëse një shoqëri vendos të mbyllë portat e potencialit të të rinjve emigrant, atëherë ajo ka zgjedh të perëndojë në vend se të rritet dhe zhvillohet.

Migracioni si dukuri shoqërore ngjanë në çdo vend dhe si i tillë ka dhe specifikat të cilat janë rrjedhojë e faktorëve të ndryshëm qoftë historik, socioekonomik apo gjeopolitik. Migrimet, si fushë tradicionale e shkencës mbi popullsinë, kurrë nuk ishin procese spontane dhe autonome, sikundër që nuk janë as sot, ngase në epokën tonë kanë ndryshuar motivet, drejtimet, distanca hapësinore, e po ashtu edhe efektet e tyre për zhvillimin demografik.

Lëvizjet migruese gjatë gjithë historisë ishin rigrupim i bashkësive me përkatësi të ndryshme etnike, kulturore dhe socioekonomike ku si rrjedhojë kishin krijimin e diasporave.

Meqenëse kanë ndërruar rrethanat, migrimi në epokën tonë kryesisht bëhet për aspekte ekonomik,  anët pozitive të së cilës janë synimi i vendet më të pasura nga ku krijohen të ardhura që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomit familjare dhe vetë shoqërinë.

Migrimi si dukuri socioekonomike është bërë dukuri normale dhe e pashmangshme për shoqëritë bashkëkohore. Është interesante fakti se tashmë veç jemi mësuar me këtë, prandaj termi Migrim thuajse është në proces të zëvendësimit me atë Integrim.

Integrimi  është një proces që zgjat pa ndërprerë, proces gjithëpërfshirës i bashkëpunimit të ndërsjellë, realizimin e barazisë së gjasave, të kërkuarit e përgjegjësisë individuale si dhe shfrytëzimin e potencialeve, po anashkaluar këtu obligimet që kemi si qytetar të këtij vendi, dhe rolin e rëndësishëm që ka vetë shoqëria Zvicerane, në këtë proces.

Por, sa kemi arritur ne si komunitet shqiptarë t`i përmbushim synimet tona në këtë proces? Ka shumë mendime dhe diskutime lidhur me këtë. Disa thonë se jemi mirë të integruar, se kemi bërë shumë për këtë vend. Pa dyshim për këtë flasim shumë shembuj të arritjeve nga njerëzit tanë.

Pa dashur të përmendim veç e veç të arriturat e shumë gjeneratave,  gjithë atyre të rinjve që sot po shkruajnë historinë e re të shoqërisë Zvicerane mund të konkludojmë se po, ne jemi në rrugë të mirë të integrimit dhe përfaqësimit tonë në jetën social dhe institucionale në shtetin Zvicerane.  Madje një qëndrim të tillë sot mbajnë edhe opinionist e Medie zvicerane, duke përmendur këtu vetëm një rast të një gazete  zvicerane, e cila para pak kohesh kishte botuar një shkrimi me titullin: ”Po vijnë Shqiptarët e mirë”.

Është në interesin tonë që në vendin ku jetojmë përkohësisht apo përgjithmonë, të përfaqësohemi si një strukturë me vlera të larta civilizuese, të dëshmojmë se jemi të aftë të përballojmë  sfidat që na sjell jeta e përditshme, të jemi shembull për të mirë si për bashkëkombësit tonë por edhe për shoqërinë në përgjithësi.

Le të bëjmë përpjekje që të arrijmë të prezantojmë vlerat tona, dhe atë në sfera të ndryshme, ku kontributi i secilit do të kishte peshë, duke argumentuar se jemi pjesë e civilizimit Europian. Të angazhohemi  bashkërisht pa përjashtim, lëvizje, shoqata e Media, për një përfaqësim dhe arritje edhe më të madhe. Vetëm vullneti dhe dëshira nuk do të ishin të mjaftueshme, duhet të dëshmojmë pragmatizëm dhe se procesi i integrimit të merret më me seriozitet.

Zvicra renditet lartë në disa parametra të performancës kombëtare, duke përfshirë transparencën e qeverisë, liritë civile, konkurrencën ekonomike dhe zhvillimin njerëzor. Të ndihemi pjesë e këtij identiteti dhe këtyre vlerave të përbashkëta, duke u angazhuar për të qenë në një pozicion sa më të favorshëm për ne.

Diaspora shqiptare përbën sot, potencial të madhe profesional dhe zhvillimor. Prandaj është detyrë e jona të edukojmë brezat e rijnë në plotësimin e tyre intelektual. Duke i udhëzuar dhe krijuar atyre kushte për shkollim. Të reflektojmë dhe të sillemi më përgjegjësi si komunitet, të konsultojmë dhe të analizojmë atë që ka të bëjë me ne, duke marrë përgjegjësin për të qenë konstruktivë, ngase jemi ne ata që do të përballemi me pasojat e mundshme të çdo veprimi që ka të bëjë me marrëdhëniet e ndërsjella.

Synim i vetëm yni do të duhej të mbetej angazhimi dhe përkushtimi i të qenit pjesë e barabartë e shoqërisë Helvetike, pozicionimi sa me lartë në jetën sociale e institucionale. Kjo na duhet sot ne, ngase përpos kësaj nuk do të gjenim zgjidhje ideale dhe të sigurt e cila do të duhej të synohej.

Potenciali ynë është i rëndësishëm për shoqërinë Zvicerane

Emigracioni është pjesë e rëndësishme për vetë shtetin Zviceran, ngase kjo është një mënyrë e rigjenerimit dhe plotësimit të saj. Pa kontributin dhe angazhimin e gjeneratave në vazhdimësi,  ky vend nuk do të ishte ashtu siç është sot. Emigracioni është diçka pozitive si në aspektin kulturor ashtu edhe në atë ekonomikë.

Thënë shkurt Zvicra ka nevojë për Ne, për potencialin e gjeneratave të të rinjve tanë, ngase kontributi i tyre do të jetë vendimtar që ky vend të vazhdoj të mbetet në këtë stad zhvillimi ku është sot. Të rijnë e të reja të brezit tonë, do të jenë po ata që do të financojnë brezin e vjetër që përbën shumicë e shoqërisë Zvicerane, ky fakt na e dëshmon se ne jemi të rëndësishëm për këtë vend.

Jo më kot thuhet, nëse një shoqëri vendos të mbyllë portat për potencialin e të rinjve emigrant, atëherë ajo ka zgjedhur të perëndoj në vend se të rritet dhe zhvillohet.

Armend Berisha