Kosova

Shtyhet edhe zyrtarisht kandidimi i Kosovës për Interpol

"Haradinaj: "Besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë"

Ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, Pacolli, institucionet kosovare kanë shtyrë kandidimin për pranim në Interpol.

Ky lajm i konfirmuar tashmë zyrtartisht, është publikuar sot në faqen e Qeverisë së Kosovës, si vendim i kryeministrit Haradinaj.

Në vazhdim, teksti i vendimit:

“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol është kontribut direkt në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit.
Republika e Kosovës është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e Interpolit.

Besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë.

Si kryeministër i Kosovës, sot kam marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.

I falënderoj të gjithë të involvuarit nga institucionet e Kosovës, por njëkohësisht i falënderoj edhe të gjithë partnerët ndërkombëtar dhe i ftoj të gjithë që në takimin e radhës të punojmë që Kosova të votohet anëtare e Interpolit”, thuhet në fund të komunikatës së nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj