Kosova

Shugurohet  Katedralja “Nëna Terezë”, e ndërtuar nga katolikë e myslimanë

Shugurimi është bërë në prani të Kardinalit, Ernest Simoni, i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut. Ndprsa presidenti Hashim Thaçi tha se Katedralja u ngrit me djersën e popullit, diasporës, myslimanëve e katolikëve

Në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta të shenjtores Nëna Terezë, në Prishtinë është shuguruar Katedralja “Shën Nëna Terezë”. Shugurimi është bërë në prani të Kardinalit, Ernest Simoni, i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut, ndërsa në ceremoninë që u mbyll para pak çasteve, morën pjesë personalitete nga jeta politike e institucionale e Kosovës.

Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, e njohur ndryshe edhe si Tereza e Bekuar e Kalkutës, është shpallur Shenjtore nga Papa i Vatikanit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar veprën e Nënë Terezës dhe shenjtërimin e saj nga Papa Françesku.

“Një vjet më parë, mora pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë nga Papa Francesku, në Vatikan. Si simbol i mirësisë, dashurisë dhe solidaritetit me njerëzit e vuajtur, Shën Tereza promovoi vlerat tona në gjithë globin. Sot po festojmë dyfish: njëvjetorin e shenjtërimit të Shën Terezës dhe shugurimin e Katedrales në Prishtinë, që mban emrin e saj”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndërsa në meshën e shugurimit të katedrales ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë, ka thënë se katedralja është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpia e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai tha se tradita jonë kurrë nuk ka bërë ndarje në mes kishës, xhamisë, manastirit, apo teqesë.

“Uroj që kjo katedrale për sot e përjetë të qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të t’u përkujtojë të gjithëve se kush ishte Shën Tereza”, tha Thaçi, i cili duke folur për figurën e Nënë Terezës, Thaçi tha se ajo pati zemrën e madhe për gjithë botën.

“Uroj që kjo shtëpi të jetë fanar i dritës dhe tempull i paqes për të gjithë”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit tha se kjo katedrale u ngrit me djersën e popullit, diasporës, myslimanëve e katolikëve, raporton KP. Thaçi tha se duhet të ndihemi krenar se nga populli ynë dolën dy figura të mëdha, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Tereza. “Nuk ka pëlhurë të bardhë apo të zezë që mbulon identitetin e Skënderbeut”, tha Thaçi.

Nëna Terezë është shqiptarja e vetme që ka marrë Çmimin Nobel për Paqe. Ajo është zëri dhe shpirti i  një nëne shqiptare që u sakrifikua për të varfrit dhe të sëmurët.

Edhe Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës në orët e mëngjesit ka folur për atmosferën, ceremoninë nga Shugurimi i shenjtores dhe katedrales, “Shën Nënë Tereza”, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së shenjtores e nobelistes së paqes.

Ai tha se Gonxhe Bojaxhiu është një figurë që e do gjithë bota dhe për ne është një shqiptare e madhe.

“Për shugurimin e katedrales ‘Shën Nëna Terezë’ ka një interesim të madh nga mbarë bota. Papa Francesku na ka nderua, sepse për këtë ditë historike ka dërguar  një figurë shumë të lartë nga Vatikani, figurë të posaçëm, siç është kardinali, Ernest Simoni”, ka thënë Don Lush Gjergji.