Shqipëria

Më shumë hotele për turistët në Shqipëri

Numri i dhomave, sipas INSTAT ka arritur afërsisht në 18 mijë, ndërsa numri i shtretërve më shumë se 41 mijë

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në vitin 2016 numri i hoteleve u rrit me 36 %, krahasuar me një vit më parë.

E thënë në numra, në Shqipëri, vetëm për vitin 2016 janë shtuar 336 hotele, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 1242. Rritja e numrit të hoteleve i ka rritur ndjeshëm kapacitete akomoduese të Shqipërisë.

Numri i dhomave, sipas INSTAT ka arritur afërsisht në 18 mijë, ndërsa numri i shtretërve më shumë se 41 mijë.

Rritja e investimeve në struktura akomoduese i përgjigjet një tendence të rritjes së numrit të turistëve. Sipas INSTAT, vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan mbi 5 milionë shtetas të huaj, 8% më shumë krahasuar me vitin 2016, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, një problem për rritjen e numrit të turistëve ngelen përmasat e vogla të njësive akomoduese në Shqipëri, shkruan ‘Scan’.

Mesatarisht, një hotel në Shqipëri ka 33 shtretër. Një përmasë e tillë e bën të vështirë tërheqjen e grupeve të mëdha, por mbi të gjitha nuk mundëson përfitime nga ekonomitë e shkallës.

Në teori, një hotel i vogël ka kosto mesatare më të larta, çka e bën më pak konkurrues në çmime.