Shkurt.ch

Shumica e zviceranëve janë kundër burkas dhe pro zyrtarizimit të besimit islam!

77 për qind të të anketuarve janë dakord me iniciativën për ndalimin e burkas, ndërsa 69% do të shkonin madje edhe një hap më larg se ajo që parasheh iniciativa. Kjo do të thotë se ata do të votonin edhe për ndalimin e shamive myslimane nëpër shkolla

Një sondazh reprezentativ që ka bërë gazetat „SonntagsZeitung“ dhe „Le Matine Dimanche“ lidhur me mbulesën e plotë myslimane të njohur si „burka“ dhe mbulesën më „të moderuar“, shaminë, ka nxjerrë rezultate interesante. Plot 77 për qind të të anketuarve janë dakord me iniciativën për ndalimin e burkas, ndërsa 69% do të shkonin madje edhe një hap më larg se ajo që parasheh iniciativa. Kjo do të thotë se ata do të votonin edhe për ndalimin e shamive myslimane nëpër shkolla.

60 për qind kanë thënë se iniciativën do ta „përkrahin me siguri“, 17 për qind, se „më shumë po se jo“ ndërsa vetëm 20% do të ishin kundër kësaj iniciative.

Siç ka shkruar tashmë edhe albinfo.ch, me iniciativën në fjalë kërkohet ndalimi i mbulimit të fytyrës (veshja e burkas) në hapësirat publike. Iniciativa në nivel vendi do të hidhet në votim jo para fillimit të vitit të ardhshëm, ndërsa bartësi i iniciativës, deputeti nacional nga SVP, Walter Obmann tregohet optimist. Duket se rezultati i sondazhit nuk e ka befasuar atë fare. „Përkon me përgjigjen të cilën unë e marr nga populli“, thotë ai për gazetën.

Duket paradoksale por kur është fjala për njohjen zyrtare të islamit si religjion, zviceranët kanë një mendim pozitiv. Shumica e zviceranëve te anketuar thonë se janë në favor të njohjes nga shteti të bashkësive islame të moderuara.