CH-Ballkani

Sokol Prenga me shokë, sjellin “Shijen Shqiptare” në Zvicër

Të dielën, më 3 dhjetor mbahet në Uster të Cyrihut mbrëmja “Shije Shqiptare”. Qëllimi i saj është promovimi i kuzhinës shqiptare, kulturës së ushqimit dhe prodhimeve shqiptare në Evropë. albinfo.ch ka intervistuar njërin ndër ideatorët, mjeshtrin e kuzhinës, Sokol Prenga

“Eja shijoni Shqipërinë me ne! Ftoni nje mik/she të huaj në darkën e radhës 03 Dhjetor 2017 në Zürich – Zvicër nga Lëvizja “Shije Shqiptare” të promovojmë së bashku traditën tonë. Si një dokument për brezat e ardhshëm dhe si një dëshmi për botën e qytetëruar e cila na njeh shumë pak”. Kjo mund të lexohet nga ftesa që u bëhet bashkatdhetarëve për të qenë të pranishëm në mbrëmjen e llojit të veçantë…

“Shijet shqiptare” kësaj radhe do të “zbarkojnë” në restorantin “Stella del Centro”, në Uster të Cyrihut”. Me këtë rast, kuzhinierët kulminantë shqiptarë do të sjellin për vendësit dhe shqiptarët magjinë e kuzhinës së vendit prej nga vijnë ata. Mysafirë dhe njëherësh mikpritës të kësaj mbrëmjeje do të jenë tre kuzhinierë: Sokol Prenga, Përparim Babalija e Faruk Neziri si dhe një ëmbëltor: Naser Gashi.

Albinfo.ch është partner medial i këtij aktiviteti dhe do të përpiqet që “Shijen shqiptare” ta ndiejnë edhe lexuesit, të cilët nuk do të mund të jenë të dielën në Uster. Para kësaj, albinfo.ch ka intervistuar dy nga pjesëmarrësit e evenimentit, mjeshtrat, Sokol Prengën dhe Naser Gashin.

Ajo që thonë ata rreth projektit duket shumë premtuese dhe ne mundemi vetëm t`u besojmë dhe të presim ditën e provës.

Por kush është Sokol Prenga? Cila është rruga e tij jetësore dhe profesionale, ku është shpalosur deri tash mjeshtëria e tij prej kuzhinieri?

Specializime të shumta në kuzhinat ndërkombëtare dhe njohje e thellë e kuzhinës shqiptare

I lindur në vitin 1973 në Tiranë, Sokol Prenga ka kryer po në këtë qytet shkollën e kulinarisë, në vitet 1987-1991. Më pas ai ka punuar në disa restorante në Tiranë dhe pastaj ka bërë edhe disa pervoja të tjera, në Ulqin, Athinë, Amsterdam dhe shkëmbime përvojash në shumë vende të Evropës.
“Kuzhinat për të cilat jam specializuar, janë më së shumti ajo italiane, mesdhetare por dhe ajo greke, meksikane, pak franceze, kuzhinë ndërkombëtare moderne, pastiçeri, dhe thellësisht kuzhina shqiptare”, thekson z. Prenga.
Tani prej dy vitesh ai punon me trajnim dhe konsulencë, për restorante dhe hotele, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Evropë. “Në pritje jam dhe për më tej Evropës”, nënvizon ai në intervistën për albinfo.ch.

Gatesat tona tradicionale, ne i bëjmë të denja për restorantet bashkëkohore të botës

Lidhur me idenë për nismën “Shije Shqiptare”, Sokol Prenga thotë se kjo nuk është ide e një personi, “por rrjedhim i punës individuale të secilit prej nesh, ndër vite, e cila erdhi me kohën dhe u bashkua në një të vetme, siç është dhe sot. Qëllimi i saj është promovimi i kuzhinës shqiptare, kulturës së ushqimit dhe prodhimeve shqiptare në Evropë. Ne marrim gatesat tradicionale dhe i paraqesim ato të denja për një restorant të nivelit bashkëkohor, modern. Kjo, për t`i treguar Evropës një diçka që ajo nuk e di për ne. Deri tash jemi prezantuar në Graz, Aachen, Linz, Mannheim, dhe tash edhe në Cyrih. Para kësaj kanë qenë dhe më herët, dy prezantime në Tiranë dhe një në Prishtinë. Pritja ka qenë kudo e mrekullueshme dhe njerëzit janë shumë të kënaqur me ketë gjë. Po ashtu dhe shtypi, Interesimi ka qenë i madh, si për kuzhinën ashtu dhe për prodhimet”.
Prenga thotë se shijet janë ruajtur si në recetat origjinale. “Gjithashtu ka kërkesë dhe për një libër me receta, të cilin ne e kemi në planet tona. Shijet e zgjedhura nga ne, janë gjithpërfshirëse, të të gjitha trevave shqipfolëse”.

Kemi pjesë të kuzhinës që janë unike, shqiptare

Prenga është i lidhur emocionalisht me kuzhinën e vendit të tij, për të cilën ka vlerësim të lartë. Por, a ka një “kuzhinë shqiptare” në kuptimin që e perceptojmë kur përmendet nocioni “kuzhina franceze” ose “kuzhina italiane” etj? Kjo është pyetja që albinfo.ch i bën Prengës.
“Unë nuk guxoj të mendoj nëse ka një kuzhinë shqiptare, sepse jam shumë i vogël dhe Kuzhina Shqiptare ka ekzistuar, shumë kohë para ekzistencës sime. Unë dhe të tjerë po mundohemi ta çojmë në vendin që i takon asaj midis kuzhinave të Evropës dhe më gjerë. Ne jemi një popull unik, kemi pjesë të kuzhinës sonë që janë unike dhe të tjera, të cilat janë të përbashkëta me popujt e Ballkanit, pastaj të kontinentit dhe me ndikime otomane”, thotë Sokol Prenga.

Ja disa nga gatesat më tipike shqiptare

Sokol Prenga bën për lexuesit tanë një listë të shkurtë të gatesave shqiptare nga lista e cila sipas tij është mjaft e gjatë: Fërgesa e Tiranës; Fërgesa e Elbasanit me mëlçi; Tava e kosit e Elbasanit; Kec në qumësht, i Kukësit; Tavë Krapi, e Shkodrës; Flija, e Malësisë së Gjakovës; Lakrorët, të Korçës; Fasule pllaqi, të Korçës; Sheto, e Përmetit; Mesnik Përmeti; Tavë korani, Pogradec; Pulë me qull me arra, Shqipëri e mesme; Harapash, i Vlorës; Revani, e Vlorës; Qingj në bidon, Labëri; Qifqi, Gjirokastër, Kulaçi i Çamërisë”.

Mbrëmja mbahet në: Restaurant “Stella Del Centro”
Uster 77

Zürichstrasse 1

8610 Uster
Email: Swiss.Alb.event@gmail.com
Numer Telefoni: +41764889111 +41786415058.
+41766809493

 

https://mail.google.com/mail/b/AKoSAph5FZtaHZHLkA1WbmH1W5BKgZvAnT4GP0X5uZPHxOnaa3mE/u/0/#inbox/160052bdff224d3b?projector=1

 

 Info rreth ngjarjes

  • Data e fillimit01 Dhjetor 2017
  • Ora18:30
  • Data e përfundimit3 Dhjetor 2017 - 22:00