Integrimi

Sonila e vogël, në mjuziklin e madh “Evita”

Në mesin e tri vajzave fatlume për të luajtur rolin e vetëm të fëmijës në mjuziklin "Evita" u zgjodh edhe vogëlushja simpatike 9 vjeçare nga Wettswil-i i Cyrihut, Sonila Arifi

“Don`t cry for me Argentina…” është një refren që e njohim të gjithë dhe që na e kujton në radhë te parë, këngëtaren Madona, gjegjësisht kolonën zanore të filmit “Evita”. Por “Evita”, para se të ishte film dhe para se të interpretohej nga Madona, ishte një mjuzikël i luajtur për herë të parë në Londër, në vitin 1978, ndër më të suksesshmit në historinë e kësaj gjinie muzikore, shkruan albinfo.ch.

Pikërisht ky mjuzikël, me kastin origjinal nga teatri “Westend” i Londrës, nga fundi i prillit ka qenë mysafir në Zvicër, në Cyrih. Dhe, për të luajtur rolin e vetëm të fëmijës që parashihet aty, ishte shpallur audicion (casting) lokal. Në një konkurrencë të fortë, zgjidhen tri vogëlushe, të cilat rolin do ta luanin në mënyrë të alternuar: secila, nga dy shfaqje gjithsej. Kjo për faktin se me ligjin e punës, fëmijët nuk lejohen të “punojnë” më shumë se 8 orë në javë. Kështu, në mesin e tri vajzave fatlume u zgjodh edhe vogëlushja simpatike 9 vjeçare nga Wettswil-i i Cyrihut, Sonila Arifi.

“Në provat e realizuara para shfaqjes, Sonila është e para. Orkestra luan lehtas. Të gjithë i kanë drejtuar sytë tek ajo. Pastaj shpërthen zëri i saj, i ëmbël dhe i pastër, ajo këndon për vdekjen e Eva Peron (Evitës nga shfaqja). Sonila do të ketë rastin të paraqitet dhe të këndojë në prani të drejtpërdrejtë të aktores nga teatri londinez “West End”,  e cila e luan Evitën”, shkruante tagesanzeiger.ch. Dhe kjo nuk është pak për një vajzë si 9 vjeçe.

Por kush është Sonila dhe si ndodhi që ajo të hynte në këtë garë interesante? Duke ia njohur talentin për të kënduar, “ka qenë mësuesja ajo që e ka rekomanduar të merrte pjesë në audicion”, thotë për albinfo.ch Albana Arifi, nëna e vogëlushes. “Kurse ne prindërit e saj, unë, Albana dhe burri im, Dardani e kemi mbështetur sa kemi pasur mundësi. Ne u jemi përkushtuar fëmijëve tanë në rrugën e sukseseve”, shton Albana.

Ndërsa suksesi në muzikë nuk është diçka e re në familjen Arifi. Aty vazhdimisht këndohet ose dëgjohet muzikë. “Vajza ime e madhe, Sanija që tash ka 13 vjet, ka arritur vitin e kaluar në gjysmëfinale të spektaklit “The voice kids” të televizionit gjerman Sat 1, sqaron Albana Arifi për albinfo.ch. Aty është zgjedhur në mesin e 100 mijë kandidatëve! Gjatë asaj kohe, asaj i është dashur që dy herë nga dhjetë ditë të qëndronte në Gjermani, në Berlin, ku e shoqëronte e ëma.

Pos Sanijes dhe Sonilës, çifti ka dhe dy fëmijë tjerë: Jonën 7 dhe Sokolin, 2 vjeçar.

Tash, Sonila ëndërron që të marrë pjesë edhe ajo në “The voice Kids” snikurse motra e saj e madhe. Por, kjo mbetet të shihet, ndërsa kur të rritet, nxënësja e klasës së tretë dëshiron të bëhet mjeke për fëmijë.