Kultura

Sonte në Ulqin nis edicioni i tretë i festivalit “Seanema”

Në filmat që bëjnë pjesë në programin kryesor garues është edhe “Dita zëfill” nga Gentian Koçi, “Zemrës së Sarajevës” me Ornela Kapedani që luan rol kryesor si dhe filmi “Requiem për zonjën J”

Në muzeun arkeologjik në Kalanë e Ulqinit sonte do të hapet edicioni i tretë i festivalit të filmit “Seanema”, i cili këtë vit mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës në Mal të Zi, Qendra kinematografike e Malit të Zi si dhe  Komuna Ulqinit, transmeton albinfo.ch.

 

Filmi “Kushtetuta e Republikës së Kroacisë” i regjisorit  Rajko Grliq, do të hap natën e parë të festivalit.

Në program këtë vit janë edhe dy filma produksione malazeze “Iskra” nga Gojko Berkuljan dhe “Perla e Bunës”.

Në filmat që bëjnë pjesë në programin kryesor garues është edhe “Dita zëfill” nga Gentian Koçi, “Zemrës së Sarajevës” me Ornela Kapedani që luan rol kryesor si dhe filmi “Requiem për zonjën J” etj.

Festivali i filmit “Seanema” këtë vit do të mbahet në disa lokacione, në qytetin e vjetër të Ulqinit. Tema e edicionit të tretë është “EXILE”, ndërsa në fokus janë të rinjtë që ndihen të përjashtuar për shkak të ndryshimeve kulturore si dhe nga pamundësia për t`i realizuar idetë, planet dhe ambiciet në vendin ku ata jetojnë.

Juria e festivalit përbëhet nga regjisori malazez, Pavlle Simonoviq, drejtori artistik i “PriFilmFest”, Fatos Berisha dhe ulqinakja Dafina Halili, autore dhe pjesë e ekipit të Kosovo 2.0.

Në jurinë që do të vlerësojë filmat metrazh i shkurtër do të jetë aktori, fitues i çmimit të madh të Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, Mirko Vllahoviq, regjisori i ri malazez, Senad Shahmanoviq dhe Tomas Auksas, regjisor, producent, aktivist dhe drejtor artistik i kompanisë multimediale Liberatum nga Londra.