Sport

Sonte përballja Itali-Shqipëri, trajnerët ende me shumë dilema

Dy trajnerët kanë shumë dilema para ndeshjes së sotme, derisa për formacionin pritet të vendosin në çastet e fundit

Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë është shumë speciale. Si për lojtarët shqiptarë që luajnë në Itali, trajnerin italian të Shqipërisë, si dhe për mijëra shqiptarë që jetojnë në Itali. Por, kjo sfidë është shumë taktike, derisa trajnerët ende nuk kanë vendosur se me çfarë formacioni do të luajnë, shkruan albinfo.ch.

 

Trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi është shprehur se ende ka disa dilema për ndeshjen e sotme. “Kam 3 apo 4 dyshime për formacionin titullar, pasi janë lojtarë të ngjashëm dhe do të vendos deri në orën e fundit. Duhet të luajmë si të barabartë dhe të qetë. Duhet të vendosim në vështirësi kundërshtarin dhe të mbajmë topin sa më shumë. Palermo është qytet i nxehtë dhe kjo është një nga arsyet pse Federata italiane ‘FIGC’ vendosi të luajë këtu. Ka dhe anën supersticioze nga italianët, pasi herët e fundit kanë fituar këtu. Por ne duhet të bëjmë tonën”, është shprehur De Biasi në konferencën për media.

 

Edhe trajneri i Italisë, Giampiero Ventura nuk pret ndeshje të lehtë ndaj Shqipërisë. “Pres një Shqipëri që do të luajë e mbyllur, për t’u rinisur më pas në kundërsulm. Nuk do të kemi asnjë minutë të lehtë, ndërsa pres edhe përgjigje të rëndësishme për të ardhmen”, tha Giampiero Ventura, trajner i Italisë.

 

“Shqipëria do të kërkojë historinë, por unë pres një hap para në krahasim me ndeshjen e fundit. Dua patjetër ta fitojmë këtë sfidë”, ka theksuar ai.

 

Italia kryeson grupin G së bashku me Spanjën, me nga 10 pikë secila, ndërsa Shqipëria ndodhet në vendin e katërt me 6 pikë.