Kultura

Sopranoja Ermonela Jaho propozohet si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro prezantoi zyrtarisht kandidaturën e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO, dhe gatishmërinë e saj, për të vënë emrin, zërin dhe famën e saj në shërbim të kauzave dhe projekteve të UNESCO-s.

Gjatë qëndrimit në Paris, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro zhvilloi një vizitë në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencë dhe Kulturën, UNESCO dhe u prit në takim nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, përcjell albinfo.ch.

“Shumë krenare dhe e nderuar që i prezantova zyrtarisht Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, kandidaturën e

sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, si ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO dhe gatishmërinë e divës shqiptare,

për të vënë emrin, zërin dhe famën e saj, në shërbim të kauzave dhe projekteve të UNESCO-s. Jam e bindur se do të jetë në nderin e Organizatës që të angazhojë një grua dhe një artiste të këtij niveli për të punuar e ndikuar që kultura të mbetet urë komunikimi mes të rinjve në mbarë botën dhe të luajë rolin që i takon në paqen dhe emancipimin e shoqërive në botë”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.