E-Diaspora

Sot hapet “Swissbau” në Bazel, 7 kompani prezantojnë Kosovën

1.046 ekspozues nga 17 shtete, në mesin e tyre edhe nga Kosova, po prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre të fundit në katër salla, në 130,000 metra katrorë, në “Swissbau”, panairi më i madh i ndërtimit në Zvicër, që do të jetë i hapur deri më 20 janar në Bazel.

Në hapje të «Swissbau» do të marrë pjesë edhe këshilltari federal zviceran, Ueli Maurer.

Bëhet fjalë pë edicionin e 25-të të “Swissbau” (panairi kryesor tregtar për industrinë e ndërtimit në Zvicër). Fokusi është në digjitalizimin me të gjitha aspektet dhe sfidat e saj për industrinë e ndërtimit. Priten më shumë se 100,000 vizitorë në panair, në të cilin do të marrin pjesë edhe 7 kompani të industrisë së drurit nga Kosova.

Albinfo.ch iu sjell nga afër produktet «Made in Kosova».

LESNA SH.P.K.
Konsiderohet fabrika më e madhe në rajon për prodhimin e dyerve dhe dritareve. Kompania prodhon dyer dhe dritare nga druri, alumini dhe pvc. Gama e produkteve të Lesna përfshin edhe dyer të dhomave, roleta, laminat, parket, dritare kulmi dhe shkallë tavani. Objektivi i tyre është që në 5 vjetët e ardhshme të rrisin eksportin në vendet e BE-së, pasi që thonë të kenë kapacitet dhe janë në nivel mjaft të kënaqshëm sa i përket cilësisë ndaj prodhuesve të jashtëm. Interesi i tyre është që të eksportojnë sa më shumë dyer dhe dritare nga druri.

GRANITI SH.P.K.
Prodhimet e tyre plotësojnë një gamë të gjerë të mobileve. si: kuzhina, tavolina, dhoma gjumi për të rritur, dhoma për fëmijë, dhoma dite, sofa, vitrina, tavolina dhe mobile të përshtatura në hapësirën tuaj.

BINNI SH.P.K.
Kompania Binni është themeluar në vitin 1989 si biznes familjar. Me një punë të palodhshme, biznesi mbijetoi kohën e viteve të 90-ta. Kështu pas vitit 1999 ringjallën biznesin duke investuar në teknologji dhe staf, i cili u trajnua pothuajse tërësisht vetë, duke iu falënderuar punës disavjeçare në Gjermani. Sot kompania është lidere jo vetëm në Kosovë në industrinë e drurit, por edhe në rajon. Ata kanë një staf shumë profesional dhe një teknologji bashkëkohore. Duke iu falënderuar kësaj, ata kanë arritur që sot të jenë të paranishëm me produktet edhe në tregjet evropiane dhe atë me 40 % të shitjeve të përgjithshme, që ka edhe trend të rritjes. Produktet që i eksportojnë janë: dyer dhe dritare nga PVC, dyer nga druri, kuzhina, dhoma gjumi dhe të gjitha llojet e interierit.

 

KOBA Sh.P.K. Gjakovë:  Kompania merret me prodhimin e mureve ndarëse lëvizëse të punuara nga druri, alumini dhe qelqi, kryesisht për hotele dhe restorante, të cilat eksportohen jashtë vendit. Prodhojnë edhe inventar për zyra, dhoma gjumi, kuzhina, varëse për salla publike, sportive dhe shkolla.

SHEHU N.T.P.
Që nga viti 1948 falë traditës dhe përkushtimit të pandalshëm, i qëndruan besnik ndër gjenerata ndaj atyre që e duan drurin dhe përpunimin e tij. «Gjithmonë ishim të përkushtuar në të rejat e kohës. Dashuria për drurin ka bërë që sot të ndiejnë përgjegjësi ndaj dashamirëve të tij. Është gjenerata e katërt në zdrukthëtari, ndërsa tradita dhe përkushtimi për gati një shekull e bën kompaninë të krenohet me stabilitet dhe cilësi në prodhim, thonë në kompani. Nga viti 2001 “SHEHU” është përcaktuar që traditën dhe përvojën në përpunimin e drurit ta orientojë në tërësi në prodhimin e shkallëve të drurit. Pas një investimi në njerëz dhe teknologji, sot mund të realizohet një larmi e pakufizur dizajnesh të shkallëve, nga klasike, deri te ato moderne. Shkallët jo vetëm që luajnë një rol thelbësor në planifikimin e një ndërtese, ato lidhin kate banimi dhe dhoma të ndryshme, njëherësh janë edhe dekor i mirë i shtëpisë. Sot, pas një pune dhe përvoje shumëvjeçare, ata ofrojnë mundësinë e projektimit të shkallëve të ndryshme sipas nevojës, shijes dhe hapësirës në shtëpinë tuaj! Shkallët janë gjithmonë në harmoni me dëshirat dhe kërkesat tuaja, njëherësh ofrojnë siguri dhe diversitet të lartë në realizimin e punimeve.  Ajo që dikur ishte vetëm imagjinatë, sot është realitet.

ELNOR SH.P.K.
Kompania Elnor Furniture është themeluar në vitin 2007 me seli në Prishtinë, e cila merret me prodhimin e tavolinave, karrigeve, kuzhinave dhe enterierit të brendshëm nga druri. Fokusi i kompanisë ELNOR në të gjitha këto vite është dhe do të jetë zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe teknologjisë moderne të prodhimit. Me sipërfaqe të prodhimit prej 5310 m2 dhe kapacitet të lartë, ELNOR është dominuese në tregun lokal dhe si kompani ka arritur të depërtojë me sukses në krijimin e partneritetit në tregjet evropiane, si në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Zvicër, Gjermani, Finlandë, Irlandë, Danimarkë dhe Luksemburg. Prandaj rreth 30 % e linjës së prodhimit në ELNOR është e fokusuar kryesisht në eksport. Produktet e ELNOR, të cilat janë më të kërkuara dhe prezente në tregjet evropiane të lartëpërmendura, janë kryesisht karriget dhe tavolinat, por viteve të fundit edhe kuzhinat. Misioni i tyre si kompani është fokusimi në kërkesat dhe nevojat e klientëve, duke u ofruar kualitet të lartë, shërbim cilësor dhe inovacion.

GREENHOUSE SH.P.K.
Greenhouse Sh.p.k. është kompani e specializuar në ndërtimin dhe prodhimin e shtëpive të parafabrikuara kornize prej druri, me uzinën e saj të prodhimit në Kosovë. Greenhouse Sh.p.k. u krijua nga një partneritet me një byro të arkitekturës zvicerane dhe specialistëve të ndërtimit. «Ne kemi mbledhur një ekip të profesionistëve të kualifikuar. Ekipi ynë ka mbi 10 vjet përvojë në ndërtimin dhe prodhimin e shtëpive të parafabrikuara kornize prej druri. Për projektet tuaja arkitekturore, ne kemi një ekip të kualifikuar që ju ofron një plan, një stil unik dhe në harmoni të plotë me dëshirat tuaja. Ne ju mbështesim në projektin tuaj nga projektimi e deri të dorëzimi i çelësave», thonë nga Greenhouse nga Kosova.