Bota

Spanja anulon urdhërarrestin evropian ndaj Carles Puigdemontit

Gjykata e Lartë e Spanjës e anuloi urdhërin evropian të arrestit kundër ish-kryetarit të qeverisë rajonale të Katalonjës, Carles Puigdemont. Edhe urdhërat evropianë të arrestit kundër katër ish-anëtarëve të tjerë të kabinetit u tërhoqën

Ish kreu i Qeverisë Rajonale të Katalonjës,  Carles Puigdemont, fitoi një betejë, por jo luftën kundër Mbretërisë së Spanjës. Sepse urdhëri i arrestit brenda Spanjës është edhe më tej në fuqi.
Gjykata e Lartë e Spanjës e anuloi urdhërin evropian të arrestit kundër ish-kryetarit të qeverisë rajonale të Katalonjës, Carles Puigdemont. Edhe urdhërat evropianë të arrestit kundër katër ish-anëtarëve të tjerë të kabinetit u tërhoqën, shkruan deutschewelle.de.
Vetë politikanët patën shprehur gatishmërinë që të kthehen në Spanjë, bëri të ditur Gjykata e Lartë. Por në Spanjë megjithatë janë në fuqi edhe më tej ligjet nacionale të arrestit. Për t’i shpëtuar arrestimit, Puigdemonti dhe disa mbështetës të tij shkuan në Belgjikë pas shpalljes në mënyrë të njëanshme të pavarësisë. Më parë qeveria qendrore në Madrid e pati shkarkuar qeverinë rajonale të Katalonjës në Barcelonë.
Akuza për kryengritje, rebelim, shpërdorim
Një zëdhënëse e drejtësisë belge tha se zhvillimet e reja tani po shqyrtohen. Ky vendim i papritur u mor vetëm një ditë pasi Puigdemonti dhe ish-ministrat u morën në pyetje në Belgjikë.

Puigdemontin e kërkojnë në Spanjë për akuzat e rebelimit, kryengritjes dhe shpërdorimit të fondeve publike. Drejtësia në Madrid thotë se referendumi për pavarësi i Komunitetit Autonom të Katalonjës shkel kushtetutën. Disa instanca të larta të drejtësisë spanjolle e patën ndaluar referendumin, megjithatë qeveria e Katalonjës e mbajti atë.

Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministri i Katalonjës Oriol Junqueras dhe ish-ministri i Brendshëm, Joauqim Forn duhet të qëndrojnë edhe më tej në paraburgim në Spanjë. Kështu vendosi Gjykata e Lartë e Spanjës. Gjykatësi kompetent Pablo Llarena e refuzoi kërkesën për lirimin me argumentin se ekziston rreziku që Junqueras t’i përsëritë veprimet e tij kriminele. Njësoj si Puigdemontin atë e akuzojnë për rebelim, kryengritje dhe shpërdorim.

Në Katalonjë po vazhdon ndërkohë fushata elektorale për zgjedhjet rajonale në 21 dhjetor. Puigdemonti iu drejtua natën duke gdhirë e marta që nga Belgjika me një mesazh me video anëtarëve të partisë së tij në Barcelonë. Ai shqiptoi kritika të ashpra për qeverinë qendrore spanjolle.