Lajme

Sporti ruan identitetin kombëtar në diasporë

”Ne do t’ju mbështesim dhe do t’i shikojmë të gjitha mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në të ardhmen...”, theksoi ministri Murati, gjatë një takimi që zhvilloi me anëtarët e ekipit futbollistik SC ”Drita-Kosova” nga Gjermania

Ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati iu ofroj mbështetje institucionale sportistëve kosovarë që luajnë në vendet e Evropës. Ai tha se sporti nuk është vetëm aktivitete fizik, por edhe kultivim i vlerave të vendit jashtë atdheut. Këto deklarata ministri i Diasporës, i bëti gjatë një takimi që zhvilloi në Prishtinë me anëtarët e ekipit futbollistik SC ”Drita-Kosova” nga Gjermania, fitues të Kupës së Diasporës për futboll.

Ministri Murati, pasi i përgëzoi anëtarët e këtij ekipi për angazhimin, sukseset dhe punën që bëjnë, tha se sporti është shumë i rëndësishëm, sepse nuk është vetëm një aktivitet i dobishëm fizik, por edhe një aktivitet social, ngase përmes tij mbahen lidhjet shoqërore dhe krijohen lidhje të reja, e që ndikon në zvogëlimin e rrezikut nga asimilimi.

“Për neve si ministri, po edhe si shtet është shumë e rëndësishme që ju organizoheni, takoheni mes vete dhe kështu e e mbani gjallë frymën shqip dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporë. Ne do t’ju mbështesim dhe do t’ishikojmë të gjitha mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në të ardhmen, duke përfshirë edhe institucione të tjera”, theksoi ministri Murati.

Enver Musli-Ukaj, kryetar i klubit SC”Drita-Kosova”, njëherësh nënkryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit për Gjermani, tha se i janë shumë mirënjohës MeD-së për përkrahjen që u jep klubeve shqiptare në diasporë.

“Të gjithë lojtarët luajnë vullnetarisht dhe kjo na shtyn të punojmë edhe më shumë për t’u krijuar kushte sa më të mira”, tha Ukaj. Sipas tij, “Drita-Kosova” , përveç sportit, prezanton edhe kulturën shqiptare, në veçanti në vendin ku jetojnë. Ai theksoi se në kuadër të këtij ekipi funksionon edhe radioja në gjuhën shqipe, roli i së cilës është ta luftojë asimilimin e fëmijëve tanë.

Ky takim u realizua pas ndeshjes që ekipi i futbollit nga diaspora zhvilloi dje me fituesin e Kupës së Kosovës në futboll FC “Prishtina” për Kupën Diasporë-Kosovë.