Lajme

Aeroporti i Beogradit i hapur për kosovarët

Prej datës 22 shtator 2014, qytetarët e Kosovës mund të shfrytëzojnë edhe aeroportin e Beogradit për udhëtime transiti, deklaron zëvendëskryeministrja Edita Tahiri

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë në dialogun teknik që po zhvillohet në Brukselit nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur përparim të dukshme në fushën e energjisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve. Ndërsa sipas marrëveshjes, prej datës 22 shtator 2014, qytetarët e Kosovës mund të shfrytëzojnë edhe aeroportin e Beogradit për udhëtime transiti.

Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministrja dhe udhëheqëses së dialogut kosovar, Edita Tahiri.

“Marrëveshja për energjinë prej ditës së djeshme do të filloj së zbatuari dhe unë vlerësoj se kjo është një arritje e rëndësishme sepse praktikisht do të filloj një bashkëpunim ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e energjisë në dobi të qytetarëve dhe stabilitetit energjetik rajonal si dhe do të vihet rendi dhe ligji në pjesën veriore të vendit duke i dhënë fund operatorëve ilegal që kanë vepruar deri më tani në fushën e energjisë”, thotë Tahiri. 

Për sa i takon telekomit, sipas saj, ende nuk është arritur të përfundohet  planin për zbatim ,pasi që siç tha ajo, kanë mbetur edhe disa gjëra për t’u sqaruar gjatë ditëve në vijim. 

Po ashtu, dje siç tha Tahiri, është zhvilluar takime tre palëshe për vlerësimin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe doganat dhe në veçanti të licencimit të mallrave që hyjnë në Kosovë.

“Nga ky takim ka një rezultat të rëndësishëm sepse kemi arritur marrëveshje për zgjerimin e Marrëveshjes për lëvizjen e lirë duke përfshirë kalimin për qytetarët e Kosovës në Aeroportin e Beogradit dhe Nishit si dhe për kalimin transit përmes Serbisë në vendet e treta ku përfshihen shtimi i pikëkalimeve kufitare për Kroaci dhe Hungari dhe hapja e pikëkalimeve kufitare për Bullgari, Rumani dhe Maqedoni”, tha Tahiri.

Zbatimi i kësaj Marrëveshje, sipas saj, do të realizohet brenda dy muajsh, ndërsa prej datës 22 shtator 2014 qytetarët e Kosovës mund të shfrytëzojnë aeroportin e Beogradit për udhëtime transiti.

“Ndërkaq ishte vlerësim i përbashkët se zbatimi i marrëveshjeve në fushën e doganave është duke ecur mirë, për të cilën edhe Bashkimi Evropian bëri vlerësime pozitive”, deklaron zëvendëskryeministrja dhe udhëheqëses së dialogut kosovar, Edita Tahiri.