Lajme

Alarm për të pagjeturit në Kosovë

Fati i 1 mijë e 675 personave ende nuk është ndriçuar, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, tash e 15 vjet

Në ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, e cila po shënohet të shtunën edhe në Kosovë , përfaqësues të institucioneve të vendit, familjarë të viktimave dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe dhe nderime për 16 viktimat me përkatësi shqiptare, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi, dhe që rreth një javë më parë u janë dorëzuar fillimisht autoriteteve në Kosovë, e më pas edhe familjarëve.

Organizatorët thanë qëllimi i mbajtjes së aktiviteti qendror në Drenas, përkon me faktin se ky rajon ka qenë ndër më të goditurit gjatë luftës.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, thotë për  Radion Evropa e Lirë se, gjatë muajve të fundit ka pasur mjaft përpjekje për dinamizmin e procesit të zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Ai thotë se pas zbulimit të varrezës masive në Rudnicë, mbetet që të zbulohen edhe varrezat tjera, për të cilat ka dyshime se ekzistojnë në territorin e Serbisë.

Në anën tjetër, një aktivitet për të shënuar Ditën Ndërkombëtare  për Personat e Pagjetur është mbajtur edhe në Prishtinë, e organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë.

Në sheshin “Nëna Terezë”, në kryeqytet, janë vendosur një numër i madh i orëve të kurdisura, të cilat kishin formuar një pikëpyetje të madhe dhe numrin 1 mijë e 709, duke aluduar në numrin e të pagjeturve, përfshirë këtu edhe personat e gjetur, por që ende nuk janë identifikuar.