Lajme

Azilantët e kthyer, intervistohen në Aeroport

Shqiptarët që kërkojnë azil në vendet e BE-së do t’i nënshtrohen procesit të intervistimit nga Policia shqiptare në aeroportin e Rinasit.

Qytetarët e Shqipërisë që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe gjatë riatdhesimit do t’i nënshtrohen procesit të intervistimit nga policia shqiptare me t’u kthyer në Aeroportin e Rinasit në Tiranë. Për këta refugjatët mashtrues, u hap Qendra e re e Pritjes dhe Intervistimit në Rinas.

Këtij procesi iu kanë nënshtruar 44 shtetas shqiptarë që u kthyen nga Londra dhe Parisi.

“Mos abuzojnë më qëndrimin në vendet Shengen, pasi çdo abuzim, duke qëndruar në mënyrë jo të rregullt në këto vende, duke thyer rregullat, do të shoqërohet me kthimin e tyre në atdhe”, deklaroi zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea duke kërkuar respektim të rregullave Shengen.

Ndërkaq, ambasadori Britanik në Shqipëri, Nicholas Cannon, evidentoi bashkëpunimin me autoritetet shqiptare në forcimin e kufirit, duke e cilësuar një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit mes qeverive të dy vendeve për të luftuar emigracionin e paligjshëm.

Cannon po ashtu kërkoi nga qytetarët që t’i zbatojnë rregullave e qëndrimit në Evropë,ndërsa iu rekomandoi shqiptarëve, që të mos emigrojnë në mënyrë të paligjshme në Britani, sepse do të kthehen në atdhe.

“Mënyra më e mirë për qytetarët e këtij vendi është që të respektojnë rregullat”, theksoi Cannon, raporton NOA.

Ndryshe, një ditë më parë, me një aeroplan të posaçëm u kthyen 44 shtetas shqiptarë, nga të cilët 34 nga Anglia dhe 10 nga Franca, ndaj të cilëve u konfirmua se kanë kërkuar azil të rremë në këto shtet.