Lajme

Azili ngadalëson liberalizimin e vizave

Derisa liderët institucional në Prishtinë shprehen optimist për heqjen e vizave më 2015, diplomatët e huaj thonë se procesi do të vonohet për shkak të ikjeve masive drejt BE-së

Qeveria në Prishtinë është optimiste se Kosova do të përfshihet në procesin e liberalizimit  të vizave gjatë vitit 2005, duke e konsideruar të domosdoshëm, heqjen e embargos lëvizëse për kosovarët. Por, diplomatët e huaj janë më skeptike, duke thënë se ikja masive drejt BE-së do ta stopojë dukshëm liberalizimin.

Ambasadori i Kroacisë në Prishtinë, Zoran Vodopija tha se integrimi i Kosovës në strukturat e Besë dhe në NATO, është i natyrshëm, por tha se procesin mund ta ngadalësojnë ikjet masive të kosovarëve drejt BE-s.

Në një ligjëratën mbajtur në Prishtinë me temë “Politika e jashtme kroate” ai tha se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë integrimin e Kosovës ndërsa kërkoi që të nduket praktika kroate.

“Kosova së pari do të pranohet në Këshillin e Evropës, pastaj në OSBE, më pas në NATO dhe më në fund në Bashkimin Evropian. Por, të gjitha këto hapa po i ngadalëson eksodi masiv i qytetarëve të Kosovës, i cili duhet ta shqetësojë më tepër klasën politike dhe mediat e vendit”, deklaroi diplomati Vodopija.

Në anën tjetër ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku u shpreh optimist se në fund të vitit 2015, Kosova do të jetë pjesë e zonës së lirë të BE-së.

“Kosova është në fazën përfundimtare të implementimit të të gjitha kërkesave që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe me plotë të drejtë presim që fundi i vitit të ardhshëm të sjell rezultate konkrete në këtë drejtim dhe kjo nënkupton një mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës të cilët njësoj sikurse popujt tjerë të rajonit të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm dhe pa viza në vendet e BE-së “, tha Çollaku.

Në anën tjetër ikja e kosovarëve drejt vendeve perëndimore nuk ka të ndalur. Ndërsa Kosova nuk ka krijuar ende ndonjë strategji rreth ndaljes së emigrimit masiv. Megjithatë siç raportojnë mediet lokale, ky viti përshkruhet më i keqi sa i përket ikjes së kosovarëve drejt Hungarisë, Gjermanisë e Francës.