Lajme

Bashkatdhetarët ankohen për shtrenjtimin e biletave të fluturimit

Gjatë ditës së shtunë albinfo.ch ishte prezent në aeroportin e Prishtinës, ku priti ardhjen e bashkatdhetarëve, e nga ku ua dhuroi edhe nga një ekzemplar të revistës sonë. Bashkatdhetarët me gëzim presin që pushimet e tyre t’ i kalojnë në vendlindje, sepse, siç thonë, “guri i rëndë peshon vetëm në vendin e tij”. Por shqetësimi i tyre vazhdon të mbetet çmimi i shtrenjtë i biletave të fluturimit.

Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” pothuajse 24 orë është i mbushur me qytetarë të vendit, të cilët dalin t’ i presin më të dashurit e tyre teksa vijnë nga diaspora për pushime në Kosovë.  Me të hyrë në hollin e aeroportit pyetjen që e dëgjon më së shpeshti është: “A ka mbërri avioni nga Cyrihu, Munihu, Lubjana, Vjena, Stokohlmi, Londra…”  Të gjithë janë në pritje të atyre që i duan dhe që i ka marrë malli t’i shohin. Sapo të nisin të dalin bashkatdhetarët me valigje në duar, me buzëqeshje në fytyrë dhe me mall përqafohen me personat e dashur të tyre. Ata janë të lumtur që vijnë në vendin ku kanë lindur, ku mund të vizitojnë familjarët dhe të çmallen me atdheun. 

Gjatë ditës së shtunë albinfo.ch ishte prezent në aeroportin e Prishtinës, ku priti ardhjen e bashkatdhetarëve, e nga ku ua dhuroi edhe nga një ekzemplar të revistës sonë. Bashkatdhetarët me gëzim presin që pushimet e tyre t’ i kalojnë në vendlindje, sepse siç thoshin, “guri i rëndë peshon vetëm në vendin e vet”, por shqetësimi i tyre vazhdon të mbetet blerja e shtrenjtë e biletave të fluturimit. “Jam shumë i lumtur që pushimet e mia i kaloj në Kosovë. Është vendi ynë dhe për ne është më i mirë në botë”, thotë Daut Kamberi, i cili vinte nga Cyrihu. Dauti, i cili ishte rreth të 60-ave, ankohet në biletat e shtrenjta që aviokompanitë ua shesin klientëve të tyre. “Mirë jemi ardh, gjithçka ishte në rregull, por biletat shumë të shtrenjta. Një biletë kthyese më ka kushtuar 600 franga”, u shpreh ai. Të njëjtin shqetësim e kishte edhe udhëtari tjetër, Burim Hyseni, i cili vinte nga  Gjeneva. Edhe ai si të gjithë qytetarët e tjerë kishte reagime për biletat e shtrenjta. “Mendoj se relacioni Zvicër – Kosovë është relacioni më i shtrenjtë në Evropë”, u shpreh Blerimi, i cili një biletë kthyese e kishte paguar hiq më pak se 580 franga.

Ndërkohë, Arsim Gashi, i cili kishte ardhur me bashkëshorten dhe dy fëmijët, i është dashur që nga Zvicra të dalë në Gjermani për të kursyer pak në biletat e udhëtimit për në Kosovë. “Jetojmë afër me Gjermaninë. I gjetëm biletat më të lira të vijmë nga Gjermania. Për katër bileta kthyese kam paguar afërsisht 1500 euro. Me këto para mund të bëja pushim edhe në vendet më të mira bregdetare, por meqë malli për atdhen dhe familjarët po na shtynë që të bëjmë çfarë të mundemi vetëm të vijmë në Kosovë”, tha ai.

Si dhe ku i kanë planifikuar bashkatdhetarët pushimet?

Dasmat dhe ahengjet familjare në Kosovë duket se mbeten ende lidhja më e fortë që i bën bashkatdhetarët tanë të vijnë në Kosovë dhe të vizitojnë familjarët e tyre.

Gjatë pushimeve të tyre thuajse asnjë nuk tha se s’ka për të shkuar nëpër ndonjë gazmend familjar, por disa ditë ata mendojnë t’ i ndajnë për t’ i kaluar edhe në bregdetin shqiptar.

Selman Ramaj nga Peja, me banim në Gjermani, theksoi se për të është e rëndësishme që pushimet t’ i kalojë në Kosovë bashkë me familjarët e tij. “Për mua është kënaqësi të kaloj pushimet duke i takuar të afërmit e mi, të rri dhe të kënaqem me vendin tim. Sigurisht se në këto pushime tashmë janë bërë të përhershme, ku kemi edhe ahengje të ndryshme familjare, sepse në këto ceremoni na jepet mundësia t’ i takojmë edhe farefisin tonë”, thotë ai, duke shtuar se nëse i jepet mundësia do të vizitojë për disa ditë edhe bregdetin shqiptar. “Kam dëshirë të shkoj pak edhe në deti. Nuk e di sa mund të rrij, po besoj se do të shkoj për disa ditë edhe atje”, nënvizoi ai. E, në këtë ardhjen e verës nuk mungojnë as çiftet e reja nga diaspora, të cilët vazhdojnë që dasmat e tyre t’ i bëjnë në Kosovë. Sedat Idrizi bashkë me të fejuarën e tij, Liridonen, këtë verë vijnë edhe për një  arsye më të madhe në Kosovë. Ata dëshirojnë pikërisht që në Kosovë të bëjnë edhe ceremoninë martesore. “Jetojmë në Zvicër, por tash në fund të këtij muaji e kemi dasmën në Kosovë. Kemi pasur dëshirë ta bëjmë në Kosovë, sepse këtu i kemi të gjithë të afërmit tonë. Jemi ardhur më herët për shkak se duhet të përgatitemi sa më mirë për dasmë, kurse pas saj kemi menduar që disa ditë pushimi të vizitojmë plazhet e jugut të Shqipërisë. Kemi dëgjuar se janë vende të mira si, Vlora e Saranda”, thanë ata.

Albinfo.ch u uron të gjithë bashkatdhetarëve tanë pushime të këndshme në trojet shqiptare!