Lajme

BB: Klima e biznesit në Ballkan po përmirësohet

Sipas Bankës Botërore, klima e zhvillimit të biznesit në Shqipëri është përmirësuar me 6.3 pikë, në Kosovë për 1.8 pikë ndërsa në Maqedoni 1.4 pikë

Në raportin e sapo botuar të Bankës Botërore “Doing Business” për vitin 2015, Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar ngritje të theksuar në ranglistën e shteteve për lehtësim në biznes. Edhe Maqedonia ka bërë një përparim të vogël edhe pse ajo qëndron shumë më mirë se sa dy shtete fqinje.

Kosova, sipas këtij raporti, është ngritur nga vendi i 81 në vendin 75 me 1.8 pikë, kurse Shqipëria ka bërë “revolucion” duke u ngritur nga vendi 109 në atë 68. Pra Shqipëria e ka ngritur ranglistën për 6.8 pikë, ndërsa Maqedonia është ngritur për një vend, nga 31 sa ishte në vitin e kaluar në vendin 30, me 1.4 pikë.

Doing Business përmbledhë të dhëna për 189 shtete të botës, rreth klimës të të bërit biznes. Ky është viti i 12-të që Banka Botërore nxjerr një raport mbi klimën e zhvillimit të biznesit. Ky raport vlen si një analizë e rregulloreve në nivel mikro-ekonomik për të ofruar një pasqyrë të klimës së biznesit.

Raporti përqendrohet në rregulloret për bizneset e vogla dhe të mesme, duke analizuar 10 indikatorë: hapjen e një biznesi, nxjerrjen e lejeve të ndërtimit, shërbimin elektrik, regjistrimin e pasurisë, marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorëve pakicë, pagimin e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe procedurat e kompensimit të kreditorëve.

Analiza nuk shqyrton faktorë si siguria në vend, stabiliteti makroekonomik, niveli i korrupsionit, aftësia e krahut të punës, funksionaliteti i institucioneve apo infrastruktura e shërbimeve.

Pas Shqipërisë, sipas raportit, ekonomitë e tjera që kanë shënuar përmirësim të fortë në klimën e biznesit janë Xhamajka dhe Kolumbia.

Sipas Bankës, rritja e vlerësimit për Shqipërinë ka ardhur për shkak të një sërë reformash të ndërmarra gjatë këtij viti, ku përfshihet lehtësimi i regjistrimit të bizneseve, ulja e kohës për lejet e ndërtimit, adoptimi i rregullave të reja për ndërtesat dhe informatizimi i procedurave për regjistrimin e pronave.

Ndërsa i vetmi tregues, ku ka shënuar përkeqësim sipas Bankës, siç raporton TCH, është pagesa e taksave, për shkak të rritjes së tatim-fitimit. Kjo është hera e dytë, që ekonomia shqiptare shënon, sipas Bankës Botërore, një përmirësim kaq të fortë në klimën e të bërit biznes.

Hera e para ishte në vitin 2009, kur vendi u klasifikua ndër dhjetë ekonomitë më reformatore në botë. Por, që pas atij viti, renditja e Shqipërisë në raportin e biznesit është përkeqësuar në mënyrë konstante, çka e çoi ekonominë e Shqipërisë në vendin 109 të botës.

Ndërsa sa i përket Kosovës, BB vëren përmirësime në nxjerrjen e lejeve të ndërtimit pas krijimit të skemës së re të inspektimit dhe uljes së tarifës për marrjen e lejes. Po ashtu Kosova vlerësohet për thjeshtësimin e procesit të zbatimit të kontratave, duke futur në funksionim sistemin e garantuesit privat.

Ndër vërejtjet përmendet ndërlikimi i procesit të transferimit të pasurisë si rezultat i rritjes së tarifës për regjistrimin e transaksioneve për regjistrim.