Lajme

BE: Mos shpenzoni kot, s’ka azil për kosovarët

Përfaqësuesit e BE-së u bënë thirrje qytetarëve që mos të ikin ilegal, sepse shtetet anëtare të BE-së nuk japin azil për kosovarët

Imigrimi i kosovarëve drejtë vendeve perëndimit, që ka marrë hov dy muajt e fundit, ka shqetësuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian të akredituar në Kosovë. Ata iu bënë thirrje qytetarëve që mos të ikin ilegal, sepse shtetet anëtare të BE-së nuk japin azil për kosovarët.

Në kontekst të martën është zhvilluar një takim ndërmjet përfaqësuesve të BE-së dhe institucioneve kosovare. 

Thomas Gnocchi, ushtrues detyre i shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se sistemi i azilit në BE ekziston për qytetarët që i ikin përndjekjes ose rrezikut të madh në vendin e tyre dhe të cilët kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës, sipas tij, ka shumë pak gjasa që aplikimet për azil të pranohen.

“Çdo vendim për dhënien ose jo të azilit është individual, mirëpo duhet përmendur se shumica e aplikimeve për azil nga Kosova refuzohen dhe qytetarët kthehen në atdhe. Kosovarët, përfshirë këtu romët, ashkalitë dhe egjiptasit, rrezikojnë që të bëjnë shpenzime të konsiderueshme vetëm për t’u kthyer sërish në Kosovë, por mbesin edhe më të varfër pas kthimit”, ka thënë Gnocchi.

Ai shtoi se edhe sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave, nuk është në interes të Kosovës që numri i kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në BE të rritet.

“BE-ja me shqetësim vë re përfshirjen e grupeve trafikante të organizuara dhe kriminale, të cilat shfrytëzojnë rastin të përfitojnë nga dëshpërimi dhe nga gatishmëria e disa kosovarëve për të ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për të arritur deri në BE. Për këtë, u bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të angazhohen fuqimisht e të merren me këto grupe kriminale”, është shprehur ai.

Përfaqësuesi i BE-së tha se Qeveria e re duhet të merret edhe me faktorët shtytës për këtë migrim.

“Njerëzit kanë nevojë për punë që të kenë të ardhme. Në veçanti, ata persona që ndihen të margjinalizuar dhe të diskriminuar, grupet minoritare, kanë nevojë për përkrahjen e Qeverisë. Kosova duhet të rrisë përpjekjet e saj për integrimin dhe reintegrimin e tyre socio-ekonomik”, theksoi ai.