Lajme

Braktisën fëmijët në Francë, ndiqen penalisht në Shqipëri

Shtatë persona, që dyshohet se braktisën fëmijët e mitur në Francë, me synim marrjen e azilit politik, po ndiqen penalisht në Shqipëri nga prokuroria shqiptare

Strukturat e Hetimit Ndërkufitar në Departamentin e Migracionit në Shqipëri, kanë filluar procedurat hetimore kundër shtatë personave, që dyshohet se braktisën fëmijët e mitur në Francë, me synim marrjen e azilit politik. Këta persona kryesisht janë marrë me trafikimin e fëmijëve minoritarë.

Hetimet kanë nisur nga informacioni i marrë nëpërmjet Europolit nga Zyra Ndërlidhëse Francë, që ka të bëjë me një grup personash që organizojnë migrimin e paligjshëm të fëmijëve të pakicave, kryesisht atyre romë.

Policia shqiptare nën urdhrat e Prokurorisë kanë nisur procedurat për ndjekje penale të shtetasit K.K 40 vjeç banues në Kamëz, për veprën “braktisja e fëmijëve të mitur”. Ky person dyshohet se në rolin e kujdestarit ka braktisur jashtë shtetit fëmijën e mitur, E.K., 15 vjeç, i cili ka kërkuar azil në Francë.

Gjithashtu ka nisur procedimi penal ndaj S.H 43 vjeç, banuese në Krujë dhe V.M 37 vjeç, banuese në Tiranë. Procedimi ndaj tyre nisi pasi S.H në rolin e prindit dhe V.M., në rolin e kujdestarit, kanë braktisur jashtë shtetit fëmijën e mitur, R.H 15 vjeç, i cili ka kërkuar azil në Francë.

Procedimi penal nisi edhe ndaj P.M 44 vjeç, banues në Bulqizë të rrethit Dibër dhe H.M., 44 vjeç, banues në Tiranë. Edhe këta persona kanë braktisur jashtë shtetit fëmijën e mitur S.M 16 vjeç, i cili po ashtu ka kërkuar azil në shtetin Francez. Po ashtu në ndjekje janë edhe dy të tjerë, të cilët në rolin e prindërve kanë braktisur jashtë shtetit një fëmijë 15 vjeç, i cili ka kërkuar azil në Francë.

Shumica nga këta fëmijë, siç kanë transmetuar mediet shqipatre, kërkojnë azil nën pretekstin se janë nën kërcënimin e gjakmarrjes.