Lajme

Brenda vitit u kurorëzuan 14 mijë bashkëshortë

Sipas grup-moshave, numri më i madh i femrave të kurorëzuara është nga mosha 20-24 vjeçare (35 %), ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me (31%)

Brenda një viti në Kosovë janë kurorëzuar mbi 14 mijë çifte, ndërsa Prizreni prinë në nivel komunash me 12 mijë kurorëzimi për një vit. Kështu deklarohet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) me titull “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë, 2013”.

Të dhënat janë paraqitur në bazë të grumbullimit të të dhënave administrative për vitin 2013 marrë nga Zyrat e Gjendjes Civile të Kosovës. Sipas ASK-së, brenda një viti janë grumbulluar gjithsej 15 436 fleta statistikore për kurorëzime.

“Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2013, janë kurorëzuar 14 664 qifte-bashkëshortore, ku 92.8 për qind e të kurorëzuarve janë femra me përkatësi etnike shqiptare, kurse 95.4 për qind janë meshkuj të përkatësisë etnike shqiptare”, thuhet në njoftim.

Te kurorëzimet, sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5 128 ose 35.0 për qind, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 4 595 ose 31.3 për qind. 

“Komuna e Prizrenit zë vendin e parë në Kosovë me 1 260 kurorëzime ose 8.6 për qind; pastaj, vjen Prishtina 1 092 ose 7.4 për qind, ndërsa në vendin e tretë gjendet Ferizaj me 877 ose 6.0 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme, numri i femrave të kësaj kategorie është 9 409 ose 64.2 për qind, kurse i meshkujve 10 529 ose 71. për qind.