Lajme

Buxheti i vitit 2015 nuk i realizon premtimet zgjedhore

Ky buxhet nuk mund t’i përmbushë të gjitha premtimet e partive të koalicionit qeverisës, që i patën dhënë gjatë fushatës zgjedhore

Buxheti i vitit 2015 që pritet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, është në trendin e deritanishëm të projeksioneve buxhetore. Por ekspertët për çështje ekonomike thonë se ky buxhet nuk mund t’i përmbushë të gjitha premtimet e partive të koalicionit qeverisës, që i patën dhënë gjatë fushatës zgjedhore. 


Kështu, sipas Lumir Abdixhikut, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, buxheti i vitit 2015 nuk do të ketë refleksion në disa prej pritjeve më bazike. Sipas tij, nuk duhet pritur realizim premtimesh nga alokimet buxhetore, por nga politikat tjera fiskale.
Nga përvoja e deritashme, sipas tij, buxhetet e kaluara, të cilat janë të ngjashme me atë të vitit 2015, nuk kanë sjellë zhvillim të mjaftueshëm ekonomik. “Mos të harrojmë se vitin e fundit kemi pasur rritje ekonomike prej vetëm 2.5 për qind dhe mesatarisht, rritje të njëjtë kemi pasur edhe në dy-tre vjetët e mëparshëm”, ka thënë Abdigjiku për Radion Evropa e Lirë.

“Pra, në qoftë se ndjekim një shpërndarje financiare çfarë kemi bërë deri më tani, ku të gjitha paratë i çojmë vetëm në rrugë, pak në investime kapitale gjithë rajonale dhe më pak në forcimin e gjyqësorit, të edukimit dhe shëndetësisë ose të vet sektorit privat, atëherë është pak e pritshme që të kemi ndonjë ndryshim të madh të situatës ekonomike”, thotë Abdixhiku.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, vlerëson se aprovimi nga Kuvendin i Kosovës i ligjit për buxhetin, të propozuar nga qeveria e vendit, do të jetë vetëm një hap drejt mundësisë eventuale për realizmin e premtimeve të partive të koalicionit qeverisës, të cilat i kanë dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Ai nuk beson se shumica e premtimeve mund të realizohen vetëm nga mjetet buxhetore.  “Nënkuptohet se ato premtime nuk mund të realizohen, kryekëput, nga mjetet buxhetore, që janë më të vogla se 1. 6 miliardë euro. Por, me ndihmën e donatorëve, korporatave të mëdha, multinacionale dhe ndryshimin e kornizës ligjore për tërheqjen e investimeve të huaja, në vitin e parë dhe vitin e dytë, mund të fillojë një derdhje e kapitalit të huaj në Kosovë”, thotë Bektashi. Profesor Bektashi, vlerëson se buxheti për vitin 2015, mund ta mbajë administratën dhe t’i realizojë projektet e propozuara, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore. Ai shpreh mendimin se rreziku nga një krizë financiare në vend, nuk është real. “Unë nuk besoj se në kushtet e tanishme mund të paraqitet kriza financiare në Kosovë. Janë arsye të shumta. Por, problemi qëndron në atë se buxheti nuk mund ta luaj rolin e një faktori shumë të rëndësishëm zhvillimor”, thekson Bektashi. Ai shton se çështja e rritjes së pagave, mbetet opsion i hapur.

Por, Abdixhiku, përjashton mundësinë e rritjes së pagave, sepse sipas tij, kjo mund të prodhojë krizën financiare.  “Nuk do të rriten pagat dhe kjo mos rritje e pagave bëhet për një arsye të thjeshtë, të ruajtjes së stabilitetit financiar, pra, të shmangies së krizës financiare. Po të kishte rritje të pagave, me këtë buxhet do të ishte e pamundur. Gjithashtu buxheti nuk projektin as luftë ndaj evazionit fiskal dhe jo formalitetit, meqenëse ka rreth në rreth 35 për qind të shitjeve të biznese”, shprehet Abdixhiku.

Ekspertët e çështjeve ekonomike, po ashtu vlerësuan se qëllimet e parashtruar në formë të premtimeve nga ana e partive të koalicionit qeverisës, nuk mund të realizohen, jo vetëm për shkak të mjeteve, por pa ndryshuar klimën e biznesit dhe qasjen ndaj investitorëve të huaj.