Lajme

Dështon kandidati i PDK-së, ndërpritet seanca

Kandidati i PDK-së për kryetar të Kuvendit, Arsim Bajrami mori mbështetjen e 44 deputetëve nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës. Seanca u ndërpre, ndërsa kriza po vazhdon

Kuvendi i Kosovës dështoi edhe një herë t’i zgjidhë organet drejtuese, kryetarin dhe pesë nënkryetarët, pasi që kandidati i partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami nuk arriti të marrë mbështetjen e më shumë se 44 deputetëve nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.   

Pas dështimit të PDK-së, kryesuesja e seancës inauguruese, deputetja Flora Brovina e shpalli të mbyllur seancën, deri në një periudhë tjetër.  

Kandidatin e PDK-së e propozoi nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi, i cili bashkëpartiakun e tij e cilësoi si personalitet të shquar për të drejtuar Kuvendin e Kosovës gjatë periudhës së ardhme. Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë, por zgjedhja e tij ka dështuar.

Për Bajramin votuar 44 deputetë, 61 u deklaruan kundër, kurse 11 prej tëre abstenuan. Sipas Kushtetutës së Kosovës, kryeparlamentari zgjidhet me shumicën e thjeshtë, që i bije 61 vota.  

Në këtë seancë ishin të pranishëm 116 deputetë, ndërsa katër prej tyre nuk qenë prezent, përfshirë edhe kryetarin e partisë NISMA, Fatmir Limaj i cili sot është paraqitur në Gjykatë në një proces për krime lufte.

Ndryshe, sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, të drejtë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit e ka vetëm parti e kryeministrit Hashim Thaçi, e cila ka dalë e pra në zgjedhjet e 8 qershorit.

Këtë mundësi gjykata nuk ia ka dhënë bllokut opozitar LDK, AAK, Nisma që kanë edhe koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje.

Koalicioni i njohur tashmë si VLAN i ka votat e duhura për bërjen e qeverisë, por nuk e ka mundësinë që ta propozojë kandidatin e saj. Megjithatë ekspertët e gjejnë një mundësi për të dalë nga kriza, duke u mbështete në njërën nga pikat e Gjykatës Kushtetuese (127), e cila iu sugjeron deputetëve që vetë të gjejnë zgjidhje për të dalë nga kriza.

Por, sipas gjendjes aktuale, kriza politike dhe institucionale do të vazhdojë edhe më tej, pasi që asnjëra parti nuk po pranon të bëj koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit. Vet zyrtarët e PDK-së kanë deklaruar se nuk do t’ia lëshojnë rrugë VLAN-it, duke zgjedhë më shumë shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.