Lajme

Danke Deutschland

Në shënimin e 15 vjetorit të bashkëpunimit gjermano-kosovar, presidentja Atifete Jahjaga falënderoi popullin gjerman për ndihmën e madhe që i ka dhënë Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e madhe që i ka dhënë zhvillimin dhe integrimit të Kosovës. Ajo tha se sot së bashku po shënohet 15-vjetori i bashkëpunimit gjermano-kosovar, një jubile që, sipas Jahjagës, shënon kapitullin më të rëndësishëm të historisë dhe miqësisë ndërmjet dy popujve.

“15 vite më parë vuri themelet mbështetja e pakursyer e popullit mik gjerman për vizionin e një Kosove në paqe dhe në liri, një Kosove shtet demokratik dhe anëtare të barabartë në familjen e popujve të lirë, duke u bërë kështu aleat kyç dhe partner strategjik i qytetarëve të Kosovës dhe avancimit të shtetit të tyre”, tha Jahjaga.

Këto komente presidentja Jahjaga i bëri gjatë një ceremoni mbajtur në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku u shënua 15 vjetori i investimeve gjermane në Kosovë.

“Në çdo hap të konsolidimit të shtetësisë tonë, të konsolidimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar, të ndërtimit të një shteti me mundësi të pafunda për të gjithë qytetarët pa dallim, ndihma dhe mbështetja e ardhur nga miqtë tanë gjermanë ka luajtur një rol qenësor”, tha Jahjaga.

Andaj, ndërsa shënohen të arriturat dhe sukseset e përbashkëta në këto 15 vite, presidentja i shpreh mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj që besuan në vizionin e lirisë dhe të paqes.

“Institucionet e Kosovës sot, 15 vite pas përfundimit të luftës që la pas pasoja të rënda, mbeten të përkushtuara për të parë drejt së ardhmes, duke ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe një shteti të zhvilluar ekonomikisht që ju ofron qytetarëve të saj prosperitet dhe begati”, tha ajo.

Jahjaga po ashtu falënderoi të gjithë përfaqësuesit e shtetit Gjerman në Kosovë, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Ne emër të të gjitha institucioneve të Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës, urime për këtë 15-vjetor, jam e bindur se do të festojmë dhe shumë vite të tjera të miqësisë sonë të përbashkët, të popullit të Kosovës dhe  të popullit gjerman”, deklaroi mes tjerash Jahjaga.

Ndryshe, tri ditë më parë, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets tha se gjatë 15 viteve të kaluara, Gjermania ka investuar në Kosovë rreth 420 milionë euro, duke qenë kështu njëri nga shtetet që ka ndihmuar më së shumti zhvillimin e vendit.

Ndryshe, ndër organizatat më të njohura gjermane që veprojnë në Kosovë, janë GIZ-i (Shoqëria pёr Bashkëpunim Ndёrkombёtar), KfW-ja (Institucioni Kreditor pёr Rindërtim), APPK-ja (Agjencia pёr Promovimin e Punësimit nё Kosovё), DAAD-ja (Shёrbimi Gjerman pёr Shkёmbim Akademik).

“Unë besoj se potenciali ekonomik që ekziston në Kosovë akoma nuk ka arritur të shfrytëzohet sa duhet. Por kohët e fundit ka pasur iniciativa të ndryshme që fokusi të vendoset sërish në rajonin e Ballkanit dhe këtu dua ta përmend konferencën e fundit që u mbajt në Berlin për Ballkanin Perëndimor dhe që do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme”, tha ambasadorja Viets citon DW.

Gjermania pos ndihmës ekonomike në Kosovë ka të angazhuar në kuadër të misionit KFOR edhe 700 ushtarë. Misioni në Kosovë është i dyti më i madhi i ushtrisë gjermane jashtë vendit, pas Afganistanit.