Lajme

Djali “hasret” vritet në Siri

Melos Kosumit, 17 vjeçar nga Gjilani, i cili kishte shkuar në Turqi për studime, por kishte përfunduar në konfliktin Sirian ku edhe ishte vrarë. Ai ishte djalë hasreti

Edhe një djalë i ri nga komuna e Gjilanit është vrarë dy ditë më parë në konfliktin arab, në luftën e Sirisë. Raportohet për vrasjen e Melos Kosumit, 17 vjeçar nga Gjilani, i cili kishte shkuar në Turqi për studime, por kishte përfunduar në konfliktin Sirian ku edhe ishte vrarë.

Familja Kosomi ka hapur dyert për ngushëllime, ndërsa babai i viktimës Selami Kosumi dy ditë më parë ishte njoftuar se djali i tij i vetëm, Melosi është vrarë në Siri.

Shpesh i tradhtuar nga emocionet, Selamiu mundohet të rrëfejë se si para një viti Melosi kishte vazhduar shkollimin e mesëm në Turqi dhe shpesh nga mërzia ai ishte kthyer për vizitë në Kosovë, raporton KTV. Edhe kohën e fundit, ai thotë se kanë folur vazhdimisht në telefon, mirëpo gjithmonë duke menduar se djali gjendet në Turqi.

Një telefonatë e para dy ditëve nga Siria, e një personi që Selamiu thotë të mos e ketë ditur kush ishte, ia ka kumtuar lajmin për vdekjen e Melosit. Ai thotë se Melosi ishte djalë i sjellshëm dhe i suksesshëm në shkollë dhe nuk e përjashton mundësinë që dikush ka ndikuar në djalin e tij që ai t’i bashkohet luftës në Siri.

Por, megjithatë lutet që ky të jetë i fundit kosovar që vritet në luftën e Sirisë.

Derisa vazhdimisht është bërë thirrje nga të gjitha instancat shtetërore e fetare që të mos i bashkohen këtyre luftërave, deri më tash janë dhjetëra të rinj shqiptarë që janë vrarë në Siri dhe Irak. Para tri javësh, tetë shqiptarë u vranë gjatë luftimeve në Siri e Irak, prej tyre 6 kosvarë.

Në mesin e kosovarëve ishte vrarë edhe Sinan Muji, baba i një fëmije nga fshati Bresalc i Gjilanit. Sinani kishte shkuar atje bashkë me nusen dhe djalin, ndërsa pas vrasjes, bashkëshortja dhe i biri i kishin mbetur atje. Vetëm nga Gjilani brenda dy muajve në Siri e Irak si pjesëtarë të ISIS-it janë vrarë tre djem të rij.