Lajme

KFOR: Kosova nuk është vend i terrorizimit

Në përmbyllje të punës së tij në krye të forcave të KFOR-it në Kosovë, gjenerali Slavatore Farina ka deklaruar se përfshirja e qytetarëve në luftërat në Lindjen e Mesme nuk është një dukuri e veçantë për Kosovën, por një sfidë me të cilën po përballet e gjithë bota demokratike. Arrestimi i 40 të dyshuarve për […]

Në përmbyllje të punës së tij në krye të forcave të KFOR-it në Kosovë, gjenerali Slavatore Farina ka deklaruar se përfshirja e qytetarëve në luftërat në Lindjen e Mesme nuk është një dukuri e veçantë për Kosovën, por një sfidë me të cilën po përballet e gjithë bota demokratike.

Arrestimi i 40 të dyshuarve për përfshirje në luftërat në Siri dhe Irak, ditë më parë, sipas tij, paraqet mënyrën shumë të efektshme të veprimit të policisë në një plan të ndërlikuar për të arrestuar të dyshuarit.

„Mendoj se kjo nuk është një kërcënim për të ardhmen, pra nuk mund ta konsiderojmë Kosovën si vend terrorizimi, por, natyrisht si çdo vend demokratik, duhet të sigurohemi që nuk do të ketë dhunë, që dhuna dhe terrorizmi duhet të dënohen”, tha Farina.

Sipas tij, u takon edhe qytetarëve të Kosovës që të bashkëpunojnë me institucionet dhe ta thonë se kjo është e rrezikshme për vendin, rajonin dhe gjithë botën.

Gjenerali Farina tha se KFOR-i do të vazhdojë praninë e tij në Kosovë dhe aktualisht nuk ka plane shkurtimesh, me gjithë krizat në vende të tjera të botës.