Lajme

Komuniteti i biznesit i gëzohet koalicionit

Oda Ekonomike e Kosovës e përshëndet marrëveshjen për koalicion LDK-PDK, duke e konsideruar momentin fundit për ta shpëtuar edhe ekonominë vendore

Marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, i është gëzuar edhe komuniteti i biznesit në Kosovë, i cili e ka ndjerë më shumë se sa politika, krizën institucionale. Oda Ekonomike e Kosovës e përshëndet marrëveshjen për koalicionin, duke besuar se ende ka kohë për rimëkëmbje.      

“Oda Ekonomike e Kosovës e përshëndet këtë marrëveshje, sepse ishte çasti i fundit që të tejkalohet vakuumi institucional, i cili përveç reflektimit negativ mbi zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, ka shkaktuar shumë dëme për ekonominë e vendit”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga OEK.

Marrëveshja për koalicion, sipas OEK-së, vjen para projeksioneve dhe vendimeve kapitale financiare të fundvitit të cilat mund të bëhen vetëm nga institucionet që mbështeten në vullnetin e popullit.

“Politika e qëndrueshme dhe efikase ekonomike nuk duron mungesë të institucioneve, të cilat janë timonier në drejtimin e zhvillimit ekonomik, përmbushjen e prioriteteve madhore dhe adresimin e sfidave me të cilat ballafaqohet një vend i ri dhe me ekonomi të brishtë sikur Kosova”, thuhet në qëndrimin e OEK-së.

Për më tepër, marrëveshja sipas kësaj ode, vjen edhe në momentin kritik për investime të jashtme, sepse tashmë vërehet rënia e interesit të kapitalit të huaj që të investoj në një vend pa pushtet.

Sipas këtij komuniteti, çdo zhargitje e mëtutjeshme në themelimin e qeverisë dhe të kuvendit do të arsyetonte vlerësimin e atyre që parashikonin se Kosova, nëse nuk reagon shpejt, do të mund të llogarisë këtë vit të humbur nga aspekti ekonomik.

“Edhe pse është humbur shumë kohë jashtëzakonisht të çmueshme e cila nuk mund të rikthehet, edhe pse një vakum institucional shumë muajsh ka shkaktuar dëme të konsiderueshme për ekonominë e vendit dhe imazhin e saj jashtë, vendi ende ka shans që të bëjë përparime të nevojshme ekonomike deri në fund të vitit”, konsideron OEK. 

Për të arritur një kthesë të tillë, Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se është nga rëndësia e madhe që pas politikës, ekonomia të zë vend të parë në agjendën e Kosovës dhe institucioneve të saja. “Është koha kur Republika e Kosovës duhet të dëshmohet edhe si Republikë zhvillimore e jo vetëm politike”, thuhet në qëndrimin e odes.