Lajme

Kosova e tmerruar me veprimet e Muhaxherit: Ai është barbar

Skena që është shfaqur dje në internet nga Lavdrim Muhaxheri duke ia prerë kokën një njeriu, konsiderohet një njollë e rëndë për imazhin e Kosovës. Atë e quajnë barbar

Një skenë vulgare e spostuar në facebook nga Lavdim Muhaxheri, përfaqësuesi i luftëtarëve shqiptarë në Siri, duke i prerë kokën një kundërshtari, ka tmerruar opinionin kosovarë. Shumë politikanë e analistë këtë skenë e quajnë barbare, ndërsa 24 vjeçarin nga Kaçaniku, Muhaxherin një monstrum.

Kjo skenë e postuar në internet, konsiderohet një njollë e rëndë për vetë imazhin e Kosovës në rajon. Lavdrim Muhaxheri, është lideri i luftëtarëve shqiptarë në grupin paramilitar të Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS), ndërsa konsiderohet si rekrutuesi dhe indoktrinuesi më i madh i shqiptarëve atje.

Menjëherë pas kësaj skene barbare, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar krerët e institucioneve të sigurisë për të diskutuar kërcënimin nga ekstremizmi dhe radikalizmi dhe për t’i shqyrtuar masat e ndërmarra nga këto institucione për të parandaluar dhe luftuar këtë dukuri të papranueshme.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova në asnjë moment nuk do të lejojë që të bëhet burim i ekstremizmit e strehimore e kriminelëve që nxisin terror dhe urrejtje.

Ajo i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës e komunitetet fetare që të bashkëpunojnë me autoritetet vendore dhe mekanizmat e sigurisë për t’i përndjekur penalisht individët që qëndrojnë prapa këtyre përpjekjeve për të destabilizuar Kosovën dhe traditën e saj të gjatë të harmonisë ndërfetare.

“Është përgjegjësi e jona si institucione dhe si shoqëri t’i dënojmë këto fenomene të shëmtuara. Ne duhet të distancohemi nga këto akte mizore të kriminelëve, dhe ata duhet t’i denoncojmë dhe t’i trajtojmë si të tillë”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga.

Ndërsa i mnjhershëm ka qeneë reagimi edhe i analistëve, por edhe i liderëve të partive politike.

“Çdo njeri dhe çdo shqiptar– e veçanërisht çdo shqiptar mysliman– duhet të distancohet nga ky djall dhe të kontribuojë me çfarë është e mundshme që ai të vihet para drejtësisë dhe marrë dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e analistit Uk Lushit.

Të parandalohen njerëzit si Muhaxheri

Shërbimet sekrete, forcat e sigurisë dhe ligji i shteteve shqiptare, në bashkëpunim me ekuivalentët e shteteve tjera, sipas tij, duhet t’i izolojnë dhe eliminojnë këto elemente jonjerëzore pa hezituar dhe sa më shpejt.

Një reagim kundër kësaj skene dhe këtij njeriu ka ardhur edhe nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Feja, sipas tij, ka marrë përmasa të manifestimit me uniforma dhe mjekra që më së paku u përngjajnë qytetarëve tanë e me individë që në vend të misionit të besimit në zot e dashurisë për njerëzimin, mbjellin urrejtje fetare e gjinore, vrasin njerëz e presin koka duke u thirr në Allahun.

“Ne kemi nevojë ti ndalim këto dukuri, kemi nevojë që shtetin tonë ta kthejmë dhe ta zhvillojmë në binarë normal. Nuk mjafton vetëm të distancohemi ndaj njerëzve dhe veprave të llahtarshme të tyre, ndaj atyre që po e plaçkitin çdo ditë këtë vend e ndaj atyre që duhet të përgjigjen për vrasje e ekzekutime”, thotë Mustafa.

Kundër Muhaxhirit dhe njerëzve që luftojnë për krah të tij, ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani. Ai tha se  ekstremizmi dhe trushpëlarja është rritur dhe se shumë vonë po reagohet.

“Pamjet tmerruese të një shqiptari të Kosovës që i pret kokën një të riu janë dëshmi e nivelit të rëndë të kësaj ideologjie terroriste. Tru-shpëlarja ekstremiste ka filluar shumë vite më parë…Por, disa vjet më parë shumë pak njerëz kanë pasur dijen dhe guximin për të drejtuar gishtin kah kjo çmenduri”, ka thënë Ramadani.

Para disa muajsh, një shqiptar i Kosovë, sipas tij, bëri sulm vetëvrasës në Irak, duke vrarë mbi 50 civilë, gra e fëmijë. “Të dy rastet terroriste, Lavdrim Muhaxheri dhe Blerim Heta, tregojnë për rrezikun e kësaj ideologjie ekstremiste që thirret në emër të islamit. Vrasja e grave e fëmijëve dhe prerja në fyt janë vepra terroriste. Asgjë më pak”, ka thënë veç tjerash Ramadani.

Rexhepi: Muhaxheri i jep imazh të keq Kosovës

Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i ka quajtur turpi i shtetit të Kosovës njerëzit si Lavdrim Muhaxheri. Ai tha se veprimet e tij, u japin një imazh të keq Republikës së Kosovës, e jo vetëm, familjes së tij dhe miqve të tij.

Rexhepi ka thënë se i kanë marr të gjitha masat ndaj këtyre njerëzve, madje duke lëshuar fletarrest ndërkombëtarë për Muhaxhirin. Ai theksoi se ata si ministri dhe Qeveri kanë iniciuar dhe sponsorizuar një projektligj për ata që luftojnë jashtë vendit, por i cili për shkak të shpërbërjes së parlamentit nuk ka arritur të finalizohet.

“Këta njerëz të cilëve ju ka shpërlarë truri nga një ideologji e gabuar. Ata janë një marre për shtetin e Kosovës, dhe natyrisht ne me të gjithë mekanizmat ligjor do t’i ndërmarrim të gjitha masat. Në një mënyrë për atë është përgatitur edhe një fletarrest ndërkombëtar kështu që ai e ka marr rrugën e pakëthim…”, tha Rexhepi.

Ndryshe, Lavdrim Muhaxheri, ka punuar për KFOR-in amerikan, në kampin “Bondsteel” dhe për NATO-në në Afganistan. Më të filluar lufta në Siri ai iu bashkua grupeve ekstremiste atje, ndërsa u bë shqiptari i parë që doli hapur në yutube, duke iu bërë thirrje shqiptarëve të luftojnë për tokën e Shamit (Sirisë).

Më pas në Kosovë, tre persona janë arrestuar dhe i katërti është në kërkim dhe të gjithë dyshohen se kanë lidhje me Lavdrim Muhaxherin. Ky i fundit para disa ditësh e dogji pasaportën e Kosovës, ndërsa dje i publikoi në facebook disa foto, ku shihet duke ia prerë kokën një të riu.