Lajme

Mbërrin udhëtari i njëmiliontë në aeroportin e Shkupit

Aeroporti "Aleksandri i Madh" në Shkup ka regjistruar të martën 1 milion udhëtarë për dhjetë muajt e këtij viti.

Për udhëtarin e njëmiliontë është organizuar një pritje nga udhëheqja e aeroportit të Shkupit.

Udhëtari me fat është shpërblyer me një udhëtim për fundjavë në Stamboll.

Aeroporti i Shkupit, siç raportojnë mediat e atjeshme, ka treguar sukses të madh, duke regjistruar një milion pasagjerë që kanë kaluar nëpërmjet këtij aeroporti në dhjetë muajt e këtij viti.

Autoritetet e aeroportit kanë thënë se qëllimi i tyre është që të rrisë numrin e destinacioneve të reja dhe fluturimeve.

Numri i pasagjerëve në vit është rritur sidomos pas 2010-ës.

Në vitin 2009 vetëm 599 519 pasagjerë kanë udhëtuar nëpërmjet aeroportit të Shkupit, kjo do të thotë se numri i pasagjerëve është rritur me 66 për qind në pesë vjetët e fundit, thonë zyrtarët e aeroportit të Shkupit.

Aeroporti “Aleksandri i Madh” është modernizuar në shtator të vitit 2011 me investim të rreth 100 milionë eurove të koncesionerit turk TAV.