Lajme

Mehmeti: Maqedonisë i duhen “heronj të rinj”

Një pjesë të fajit për situatën aktuale në Maqedoni e mbajnë partitë politike shqiptare, thotë analisti Kim Mehmeti, i cili konsideron “heronj të rinj” në këtë shtet

Analisti nga Shkupi, Kim Mehmeti e konsideron të domosdoshme që në Maqedoni të vi një klasë e re politike, ndërsa “të ardhurit nga Zvicra” dhe partitë tjera t’u lëshojnë rrugën “heronjve të rinj”. Ai thotë se një pjesë të fajit për situatën aktuale në Maqedoni e mbajnë partitë politike shqiptare.

“Duke mos dashur që mllefi të shtohet, duke mos dashur që ne edhe më tej të protestojmë rrugëve, unë i jam përkushtuar veprimit që kjo kohë të sjellë heronjtë e saj, që ne të dështuarit të tërhiqemi dhe ta ndihmojmë këtë rini ta lexojë drejt kalendarin në të cilin jeton”, shprehet Mehmeti, shkrimtar dhe publicist.    

Ai  po ashtu i akuzon shqiptarët në Maqedoni që i kanë mbështetur të kthyerit nga Zvicra, duke aluduar në Ali Ahmetin dhe disa ish përfaqësues të BDI-së, që dikur kanë qenë në UÇK

“Ne të Maqedonisë, përfshirë edhe mua, duke u ngutur të mos na e njollosë dikush 2001-n, me vetëdëshirë i mitimizuam të kthyerit nga Zvicra, ata që përvetësuan UÇK-në, që përvetësuan 2001-shin, që përvetësuan edhe Marrëveshjen e Ohrit, të cilën nuk e kishin nënshkruar, ata që mbi këto përvetësime që ishin pronë e tërë popullit, i vunë themelet e BDI-së”, tha ai.

Pra i mitimizuam ata që mbi gjakun e rinisë shqiptare ndërtuan parti, e që sot, siç thotë ai, “na akuzojnë se duam t’i keqpërdorim protestat, se duam të përdorim disfatën e gjashtë shqiptarëve të dënuar me burg të përjetshëm, që të bëjmë parti”.

“Por sido që të jetë, atyre që gjatë konfliktit ku populli u dha fëmijët, s’kishte si të ngurronte e të mos ua jepte edhe votën! Dhe mbase ndodhi e paimagjinueshmja dhe diçka që sa më përket mua nuk mund ta paragjykoja: ata të cilëve populli ua dha të gjitha që t’u dilte hakut për atë që bënë në 2001-shin, filluan politikisht të sillen sikur edhe ne ishim pronë e tyre”, deklaroi Mehmeti.

Fati i mëtejmë i Maqedonisë, siç thotë Mehmeti, varet nga elitat politike maqedonase, pavarësisht faktit se shqiptarët përbëjnë 30 përqindëshin e këtij shteti .

“Shqiptarët dhanë thuajse të pamundurën, ata investuan pritjen dhe durimin 24-vjeçar, që elitat maqedonase ta kuptonin se Maqedonia është projekt që më shumë qëndron mbi shtyllën shqiptare sesa mbi atë maqedonase”, deklaroi Mehmeti në një intervistë dhënë gazetës “Shqip”.

Pala maqedonase, sipas tij, u bind se ndaj kërkesave të shqiptarëve të përdoret metoda “mos ua jep sot atë që mund ta shtysh për nesër”. Kështu që të drejtat e shqiptarëve, siç thotë Mehmeti, realizohen me këste, nga një dhjetëvjeçar në tjetrin, nga njëra protestë në tjetrën.

“Dhe çudia më e madhe ndodhi kur shqiptarët e këtushëm e panë se edhe “çlirimtarët” tanë të 2001-shit, iu nënshtruan kësaj politike, se ata thjesht u bënë vasalë të një sunduesi që bënte thuajse ç’të donte, e ndërkohë këta tanët vetëm dilnin e na qetësonin apo edhe i shërbenin Gruveskit si mbulesë para ndërkombëtarëve”, deklaron ai.

Andaj, lirisht mund të thuhet se bashkautorë të kësaj që u ndodhi shqiptarëve të Maqedonisë, sipas Mehmetit, janë edhe dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSH. “Nuk e di as pse as si u bënë pengje të VMRO-së, e cila gabimisht besoi se ai që i ka nën kontroll këto dy parti, e kontrollon edhe tërë shqiptarinë e këtushme”, tha ai.

A është shkaktare vetëm zvarritja e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit për situatën e krijuar, Mehmeti thotë se ajo është njëri nga shkaktarët.

“Vetë fakti se edhe pas 13 vitesh nga nënshkrimi flitet për (mos)zbatimin e saj, dëshmon se bëhet fjalë për një kufomë të cilën tani nuk duan ta varrosin ata që asaj ia morën frymën”, deklaroi ai.

Por, është e padrejtë për këtë të fajësohet vetëm pala maqedonase, ngaqë për mosrealizimin e saj fajtore janë edhe partitë e këtushme shqiptare që këtë marrëveshje e lexuan vetëm si konkurs publik për t’i punësuar partizanët partiakë, e jo si dokument bazat për ndërtimin e një demokracie konsensuale ndëretnike.