Lajme

Në Kosovë e Shqipëri, 1.1 miliard remitenca

Gjatë vitit 2013, emigrantët kosovarë kanë dërguar drejt vendit të tyre 621 milionë euro, ndërsa shtetasit shqiptar vetëm 497 milionë euro

Dërgesat e mërgimtarëve në Kosovë dhe Shqipëri, brenda një viti, kalojnë shumën prej 1. 1 miliard euro, prej të cilave 621 milion i dërgojnë mërgimtarët kosovarë, ndërsa 497 milionë ata shqiptarë. Kështu thuhet në një raport që ka publikuar “Open Data Albania (ODA)” gjatë vitit 2013.

Remitancat janë flukse hyrëse dhe dalëse paraje pa kundërshpërblim për ose nga jashtë vendit, thuhet në këtë raport, i cili gjithashtu merret me zhvillimin e të hyrave të mërgimtarëve gjatë periudhës 2008-2013.

Në rastin e dy shteteve të analizuara, ato përkojnë kryesisht me para të emigrantëve të sjella në atdhe si ndihmë për të afërmit apo fond kursimi dhe investimi. Të dhënat për realizimin e këtij artikulli, siç thuhet në komunikatën për media, janë marrë nga Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka e Shqipërisë.

“Gjatë harkut kohor të gjashtë viteve analiza hulumtuese e ODA-s, vë re se deri në vitin 2012 dërgesat e parave që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë i tejkalojnë ato drejt Kosovës. Viti 2013 shënon një rënie për Republikën e Shqipërisë ndërsa vazhdojnë të rrisin dërgesat drejt atdheut diaspora kosovare”, thuhet në njoftim.

Gjatë vitit 2013, emigrantët kosovarë kanë dërguar drejt vendit të tyre 621 milionë euro, ndërsa shtetasit shqiptar vetëm 497 milionë euro.

Open Data Albania hulumton re se shteti nga i cili emigrantët kanë dërguar më shumë para drejt Kosovës gjatë këtyre viteve është Gjermania. Në vitet 2008-2013 nga ky shtet janë dërguar mesatarisht 210 milionë euro nga emigrantët kosovarë.

Kjo shifër vjen dhe si rezultat i numrit të lartë të emigrantëve kosovarë në Gjermani. Vend të dytë zë diaspora kosovare në Zvicër me 147.4 milion euro.

Ndryshe nga Kosova ku peshën kryesore të remitancave e mbartin Gjermania e Zvicra, në Shqipëri remitancat më të larta shënohen me Greqinë e Italinë. Nëse në vitin 2011 janë dërguar nga Gjermania drejt Kosovës 194 milionë euro, nga ky shtet drejt Shqipërisë në po këtë vit janë dërguar vetëm 8 milionë euro.

Gjatë vitit 2013 peshën kryesore të remitancave për Kosovën e mbart Gjermania me 34 për qind të totalit, pasuar nga Zvicra me 24 për qind .

Shtete të tjera me remitanca mbi 20 milionë euro janë dhe Italia, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Sllovenia.

Republika e Shqipërisë ka numër më të lartë të popullsisë kundrejt Kosovës. Dy shtetet ballkanike, sipas ODA-s, nuk kanë statistika të qarta mbi numrin e emigrantëve të tyre dhe për rrjedhojë nuk mund të krahasojmë në numër diasporën e vendeve përkatëse.

“Duke u nisur nga vlerat e rikthyera në shtetet e origjinës mund të themi se diaspora kosovare ka lidhje ekonomike më të ngushta me shtetin amë, sikundër edhe fuqizim ekonomik më të mirë se diaspora e krijuar nga emigrimi i shtetasve të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e ODA-s.