Lajme

OEK: Bizneset shqiptare në Serbi po shkatërrohen

Në një komunikatë për media, OEK thotë se me shqetësim është duke i përcjellë dukuritë vandale të shkatërrimit të bizneseve dhe pronave të shqiptarëve në Serbi

Djegia e bizneseve shqiptare gjithandej Serbisë, sidomos pas 14 tetorit kur u luajt ndeshje e futbollit Serbi-Shqipëri, ka nxitur reagime nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e cila kërkon nga autoritetet serbe që të garantoj liri të veprimtarisë për bizneset shqiptare.

Në një komunikatë për media, OEK thotë se me shqetësim është duke i përcjellë dukuritë vandale të shkatërrimit të bizneseve dhe pronave të shqiptarëve në Serbi.

“Jemi të mendimit se një qasje e tillë nuk është në frymën e normalizimit të raporteve në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë e në veçanti nuk është në mbështetjen e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga EOK.

Sipas Odës kosovare, pasuria është e shenjtë dhe është e drejtë e çdo qytetari që ta mbrojë. Megjithatë, këta të fundit kanë apeluar tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, si dhe në Serbi të bëjnë maksimumin në mbrojtjen e pasurisë dhe bizneseve shqiptare në Serbi.

“Promovojmë regjionin dhe për këtë duhet të eliminohen barrierat në mes shteteve anëtare, të avancohet dialogu dhe bashkëpunimi ekonomik, të depolitizohen proceset ekonomike se vetëm vula ekonomike mund të jetë garrancë e fuqizimit të marrëveshjeve politike”, thuhet në reagimin e OEK-së.

Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se skenat të cilat janë bërë në shtetin e Serbisë, si djegia dhe shkatërrimi i pasurisë së shenjët të shqiptarëve në Serbi janë skena të cilat nuk i bëjnë nder Serbisë në rrugëtimin evropian, e as “normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi”.

Madje, sipas EOK-së, kjo sjellje është njollë edhe karshi investitorëve të huaj dhe përmirësimit të imazhit të Ballkanit Perëndimorë të cilat do të de motivojnë edhe më tepër investohet e huaj.

Pas përfundimit të dhunshëm të lojës Serbi-Shqipëri, grupe huliganësh serbe kanë sulmuar pasuritë dhe bizneset shqiptare në Serbi. Cak kanë qenë furrat në disa qytetet, por edhe objektet të tjera hoteliere si dhe kafenetë. Kjo ka ndodhur për faktin se në kombëtaren e Shqipërisë, gjysma e lojatareve janë nga Kosova.