Lajme

Pak kosovarë të dhënë pas artit

Sipas statistikave, brenda një viti vetëm 60 mijë shikues kanë shkuar në Kinema për të parë një film. Ndërsa vetëm 17 mijë qytetarë kanë parë një shfaqje në teatër

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kulturës 2013” të cilat tregojnë se shumë pak shikues i kanë parë filmat, shfaqjet teatrale, ekspozitat  dhe kanë lexuar në bibliotekat kosovare. Sipas ASK-së, brenda një viti, vetëm 60 mijë shikues kanë shkuar në Kinema për të parë filma.

Ky publikim i ASK-së, ofron të dhëna statistikore me aktivitetet kulturore të kinemave, teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, baletit, filarmonisë për vitin 2013.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i filmave të shfaqur në kinematë dhe shtëpitë e kulturës nëpër komuna e Kosovës në vitin 2013 ishte 127, prej tyre 43 filma vendorë, ndërsa 84 filma të huaj. Ndërsa këta filma i kanë parë gjithsej 60.414 shikues.

“Krahasuar me vitin 2012 numri i filmave të shfaqur  në vitin 2013 ka shënuar rënie  për 33.5 për qind. Po ashtu, numri i shikuesve ka shënuar rënie për 22.2 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së.

Numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, sipas të njëjtit njoftim, në vitin 2013 ka qenë 8 premiera dhe 150 repriza, ndërsa numri i shikuesve 7.500.

Krahasuar me vitin 2012 numri i shikuesve në vitin 2013 ka pasur rritje për 0.2 për qind

Numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin Oda, sipas ASK-së, ka qenë 4 premiera dhe 67 repriza, ndërsa numri i shikuesve ka qenë 10.900.

Numri i ekspozitave të realizuara në galeritë e arteve dhe në shtëpitë e kulturës nëpër komuna ka qenë 176, ndërsa numri i vizitorëve 30.290. “Krahasuar me vitin 2012 numri i ekspozitave në vitin 2013 është rritur për 2.9 për qind, kurse numri i vizitorëve në vitin 2013 është rritur për 5.7 për qind”, thuhet në raport.

Ndërsa fondi i librave në biblioteka ishte 1.521.892, me numër të lexuesve 170.001. Krahasuar me vitin 2012 fondi i librave në biblioteka në vitin 2013 është rritur për 0.4 për qind. “Kurse numri i lexuesve në vitin 2013 është rritur për 6.4 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së.