Lajme

Qeveria në detyrë miraton buxhetin 2015

Të hyrat e përgjithshme buxhetore për vitin 2015 planifikohen të jenë 1 miliard e 576 milionë euro, apo një rritje prej 8.1 për qind krahasuar me vitin 2014

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës aprovoi të premten Projektbuxhetin për vitin 2015 në vlerë 1.5 miliardë euro, të cilin menjëherë e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk është funksional. Projektligji edhe pse i miratuar nga qeveria nuk mund të funksionalizohet pa miratimin e Kuvendit.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se me këtë projektbuxhet parashihen investime në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe rrugëve tjera magjistrale, sikurse edhe investime në arsim, shëndetësi dhe fusha tjera. Por, po ashtu, parashihet edhe rritja e pagave për punëtorët e sektorit publik.

“Me këtë draftbuxhet ne do të bëjmë të mundur edhe mbulimin e pagesës për pagat e rritura për të gjitha kategoritë e punëtorëve të sektorit publik dhe pensionet e rritura. Ne jemi zotuar para qytetarëve për rritje të pagave për katër vitet e ardhshme për 100 për qind. Unë e ritheksoj zotimin tim se nga fillimi i vitit të ardhshëm me një vendim të Qeverisë, do të fillojmë implementimin e këtij vendimi për rritjen e pagave nga 25 për qind për çdo vit”, tha Thaçi. 

Po ashtu kryeministri në detyrë, tha se në vitin 2015 dhe vitet në vijim, ekonomia e Kosovës do të vazhdojë me ritmet e saja pozitive të rritjes, ndërsa në kontekstin rajonal, ekonomia kosovare pritet të ketë normën më të lartë të rritjes 4.1 për qind, ndërsa në tri vitet tjera, 4.3 për qind.

Të hyrat e përgjithshme buxhetore, sipas Thaçit, planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milion euro, apo një rritje prej rreth 8.1 për qind krahasuar me vitin 2014.

“Totali i shpenzimeve për vitin 2015 planifikohet të jetë 1 miliard e 682 milion ose rreth 6% më shumë se në vitin e kaluar”, tha ai.

Ndërsa ministri i Financave, Besim Beqaj prezantoi për secilin sektor rritjet buxhetore dhe investimet kapitale.

“Për vitin 2015 të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milionë euro. Në kuadër të këtyre të hyrave totale, të hyrat nga tatimet e brendshme dhe ato doganore, pritet të rriten me rreth 7 për qind, ndërsa vetëm të hyrat e brendshme, pritet të rriten me rreth 17 për qind”, tha Beqaj.

Projektbuxheti i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës, sipas afateve ligjore. Ky i fundit duhet ta miratoj njëherë në lexim të parë e më pas në amendamentim. Nëse projektbuxheti nuk miratohet deri në fund të muajit mars, atëherë Kosova do të jetë në kolaps financiar.