Lajme

Ramadan Zejnullahu, rektor i ri i UP

Për Rektor të ri të UP-së, Këshilli Drejtues ka zgjedhur profesorin e njohur të matematikës, Ramadan Zejnullahu

Me pesë vota të Këshillit drejtues, duke mundur dy kandidatët tjerë, rektor i ri i Universitetit të Prushtinës është zgjedhur profesori i matematikës në këtë universitet, Ramadan Zejnulahu. Kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së, Shefkije Islamaj ka bërë të ditur vendimin e këtij këshilli.

Zejnullahu ka mundur me vota tre kundërkandidatët: Anton Berishaj, Behxhet Mustafa dhe Berim Ramosajn, shkruan rtklive.com.

Ai do të ketë mandat dyvjeçar, për periudhën e mbetur të mandatit paraprak të ish-rektorit Ibrahim Gashi, përkatësisht deri më 30 shtator të vitit 2016. 

Universiteti i Prishtinës deri në fillim të këtij viti u drejtua nga Ibrahim Gashi, i cili dha dorëheqje, ndërsa që nga muaji prill Këshilli Drejtues pati zgjedhur profesor Anton Berishajn, si ushtrues detyre. 

Rektori i ri, Ramadan Zejnullahu, është i lindur më 8 maj të vitit 1957. Është doktor i shkencave matematike. 

Në vazhdim deklarata për media të Prof. dr. Ramadan Zejnullahu, Rektor i sapozgjedhur i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”:

`Kam kënaqësi ta falënderoj Këshillin Drejtues për besimin që ma kanë dhënë për ta udhëhequr gjatë dy viteve të ardhshme institucionin më të madh arsimor dhe shkencor në vend.

Se universiteti ynë më i vjetër ka mjaft probleme themelore, kjo tashmë është e qartë për publikun e gjerë. Jam i vetëdijshëm për peshën e pozitës së rektorit dhe i gatshëm që së bashku me stafin e studentët, dhe në konsultim me institucionet relevante, të fillojmë t’i adresojmë me seriozitet problemet akute në UP.

Unë do të tentoj t’i mobilizoj të gjitha kapacitetet dhe në transparencë me taksapaguesit kosovarë, të cilët na financojnë me bujari, të shënojmë progres të dukshëm për UP-në dhe rrjedhimisht për arsimin e shkencën kosovare në përgjithësi.

Kjo detyrë nuk është e lehtë, por e vetmja mundësi për ta realizuar misionin e rëndësishëm të UP-së është nëse secili e kryen detyrën me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Unë jam i lumtur që këto parime do t’i vë në shërbim të universitetit të parë në Kosovë, që ka kapacitet për ta transformuar për të mirë shoqërinë tonë, siç ka bërë shpesh në të kaluarën.