Lajme

Reagon policia, 6 autobusë i kthen në kufij

Mbrëmë në pikëkalimin kufitarë të Merdarës, Policia Kufitare ka kthyer mbrapa gjashtë autobusë me qytetarë nga Kosova, që synonin të emigronin në Bashkimin Evropian

Pas lajmit që u plasua në media se qindra qytetarë nga Kosova po emigrojnë drejt Bashkimit Evropian nëpërmjet Serbisë, ka reaguar menjëherë Policia e Kosovës. Mbrëmë në pikëkalimin kufitarë të Merdarës, Policia Kufitare ka kthyer mbrapa gjashtë autobusë me qytetarë nga Kosova.

Shumica prej këtyre autobusëve ishin nga rajoni i Ferizajt, i cili ka qenë më i prekur nga migrimi këtyre ditëve, citon KTV. Shumë qytetarë janë nisur drejt Hungarisë për të gjetur një jetë më të mirë në njërën nga vendet e Bashkimit Evropian. Ata paguajnë shuma të mëdha parash, që të shkojnë në BE.

Shumica prej këtyre qytetarëve shesin pronat e paluajtshme, por edhe veturat e bagëtinë,  duke hyrë në borxhe të mëdha e duke marrë kredi nga banka. Ndërsa, nuk përjashtohen edhe rastet kur gjatë përpjekjeve për të kaluar ilegalisht në zonën kufitare, bien në duar të autoriteteve doganore dhe policore hungareze.

E më pas detyrohen të vuajnë edhe dënime me burgim dhe të ngujuar nëpër kampe të ndryshme në qytetet hungareze.

Lidhur me largimin e qytetarëve të Kosovës nga vendi, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. “Koalicioni PDK – LDK veçse i siguroi qytetarët e Kosovës që e keqqeverisja e deritashme do të rehabilitohet dhe do të vazhdojë. Kjo e bën Kosovën të pashpresë për secilin qytetari” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Ndryshe, brenda pesë vjetëve të fundit më shumë se 70 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërsa, vetëm vitin e fundit rreth 20 mijë kosovarë janë regjistruar në listën e azilkërkuesve. Kështu tregojnë shifrat e Raportit të EASO-s (Zyrës Mbështetëse Evropiane për Azil), të publikuar me 7 korrik 2014.