Lajme

Shkelje flagrante e të drejtave të punëtorëve

Në Kosovë ndodhë që punëtorët të mos i marrin pagat deri në shtatë muaj, ndërsa ka të tillë që nuk guxojnë të tregojnë për shkeljen e të drejtave. Sindikatat kërcënojnë me protesta

Papunësia e lartë mbi 30 për qind, ka ndikuar që punëtorët kosovarë shpeshherë të nëpërkëmbën nga punëdhënësit, madje duke ia vonuar pagat deri në shtatë muaj. Kështu të paktën konsideron Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, e cila ka publikuar të gjetura të shumta sa i përket raportit punëdhënës-punëmarrës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka raportuar para organeve të saj për punën që është bërë nga 1 shtatori i këtij viti e deri më sot.

Punëtorë që paguhen me vetëm 120 euro në muaj, punëtorë që nuk kanë marrë rrogë që shtatë muaj, por edhe punëtorë që nuk lejohen të formojnë sindikatat e tyre, janë këto çështje që ka shpjeguar kryetari i kësaj sindikate.

Dhe nga kjo periudhë, përmes një njoftimi për media, i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, bënë me dije se kjo sindikatë nga e hëna do të filloj me organizimin e protestave dhe grevave, nëpër kompani të ndryshme.

“Të hënën kjo sindikatë në bashkëpunim me shoqatën e punëtorëve teknik të “Omi Impex” në Qendrën Studentore do protestojnë gjatë orarit të punës në shenjë proteste pas mosngritjes së pagës, dhe kthimin e këtyre punëtorëve nën menaxhimin direkt të qendrës studentore”, thuhet në një njoftim për media.

Parregullsi, sipas kësaj Sindikate, janë gjetur edhe në Forcat e Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari” , ku shërbimet teknike i kryen kompania “MSS”. Kjo kompani, siç thuhet, pesëmbëdhjetë punëtorët e saj i paguan me vetëm 120 euro pagë neto, e cila pagë është në kundërshtim të plotë me ligjin e punës dhe Marrëveshjen Kolektive.

“Ka punëtorë të kësaj kompanie që udhëtojnë edhe nga 30 km për të ardhur në punë, këta punëtorë nuk gëzojnë të drejtën e ushqimit, transportit e as të pushimit vjetor konform ligjit”, thuhet në njoftimin e tyre raporto “TG”.

Sipas kësaj sindikate, në Kosovë ka kompani që i frikësojnë punëtorët të bëjnë organizimin sindikal, pasi që nuk donë që ky mekanizëm ti zbuloj parregullsitë që bëhen në këto kompani.

“Kompania “Dervisholli”, dhe “Intereksi” nuk lejojnë themelimin e shoqatave edhe përkundër asaj se ne zyrtarisht kemi kërkuar nga pronarët që të ndihmojnë themelimin e sindikatave , pasi që e kanë obligim ligjor , të këto kompani janë vërejt parregullsi të skajshme në implementimin e ligjit”, thuhet më tutje në njoftim.

E për të pasur një zbatim të marrëveshjes kolektive, i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, beson se do të arrij që përmes protestave të ndryshojë këtë gjendje, dhe nga 1 janari 2015, të fillojë zbatimi i plotë i marrëveshjes kolektive.