Lajme

Shqipëri-Luksemburg, marrëveshje për pensionet

Marrëveshja fillon së zbatuari më 1 janar 2015 për rreth dy mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Luksemburg

Luksemburgu është vendi i dytë, pas Belgjikës, që nënshkruan marrëveshje me Shqipërinë,  e cila u mundëson emigrantëve shqiptarë të tërheqin kontributet e pensioneve që kanë depozituar në Shqipëri nëse vendosin të qëndrojnë në Luksemburg, ose anasjelltas.
 
Një marrëveshje e tillë është nënshkruar nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe Ministri i Mbrojtjes Sociale i Luksemburgut, Romain Schneider, mundëson transferimin e pensioneve për rreth dy mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Luksemburg.
 
Marrëveshja fillon së zbatuari më 1 janar 2015. 
 
„Ajo që po përpiqemi të bëjmë me keto marrëveshje dypalëshe është t’u themi shqiptarëve se nuk ka rëndësi se ku punoni, por për sa kohë që i deklaroni vitet tuaja të punës në Shqipëri apo në një vend tjetër të BE-së, ato do t’ju njihen të gjitha. Ky është një apel për qytetarët se që nga 1 janari, cdo muaj apo vit i deklaruar, sjell një pension më të lartë”, ka deklaruar ministri shqiptar,  Veliaj, transmetojnë lajmin mediat në Tiranë
 
“Në momentin kur do të kemi lidhur 6-7 marrëveshje të tilla me vende të tjera të BE-së, edhe procesi i fillimit të negociatave me vendet fqinje do të jetë më i lehtë”, tha ministri Veliaj.
Ministri për Mbrojtjen Sociale i Luksemburgut, Schneider, tha se marrëveshja me Shqipërinë është një akt i rëndësishëm sepse bëhet fjalë për një konventë në fushën e sigurimeve shoqërore. 
 
Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me Turqinë, ndërkohë që po bisedohet me Gjermaninë, Cekinë, Rumaninë dhe Austrinë. Autritetet në Tiranë do të nënshkruajë shume shpejt marrëveshjen me Kanadanë, Hungarinë dhe Maqedoninë, e nga ana tjetër synojnë të bashkëpunojnë edhe me Italinë dhe Greqinë, vende ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh.