Lajme

Sulmohet me granata Qeveria e Maqedonisë

Rreth orës 22:00 të mbrëmjes, me dy granata është gjuajtur ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë. Mësohet se nuk ka të lënduar, ndërsa Policia është duke i bërë hetimet

Dy granata janë hedhur mbrëmë në ndërtesën e Qeverisë së Maqedonisë, rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Mësohet se nuk ka të lënduar, ndërsa Policia e Shtetit është duke i bërë hetimet nga kanë ardhur granatat dhe kush qëndron pas tyre. Deri më tani askush nuk e ka marrë sulmin mbi vete.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska thekson se motivet e sulmit janë ende duke u hetuar. Ndërsa sipas burimeve nga Shkupi, në fasadën e ndërtesës së qeverisë, vërehen gjurmët ku kanë rënë granatat. Dëmtimet janë në pjesët ku po realizohet rikonstruimi i ndërtesës si dhe në kulm.

“Predhat janë marrë dhe janë dorëzuar për ekspertizë, për të zbardhur më shumë të dhëna për llojin e armës, drejtimin prej nga ka ardhur, për autorët e sulmit në rast se ka, dhe motivin e këtij incidenti”, deklaroi Jankullovska.

Nga kabineti qeveritar nuk e komentojnë rastin, raportojnë mediet nga Shkupi.

Ndryshe, më 6 gusht 2007, ndërrtesa e qeverisë ishte sulmuar po ashtu me dy granata, ndërsa autorët dhe motivet e sulmit nuk u zbardhën asnjëherë.