Lajme

UEFA “trazoi” shqiptarët e Ballkanit

Vendimi i UEFA-s që ndeshjen Serbi-Shqipëri ta regjistroj me rezultat 3:0 në favor të serbëve, ka trazuar shqiptarët në Ballkan. Vendimi konsiderohet skandaloz

Vendimi preliminar i UEFA-s lidhur me ndeshjen e 14 tetorit që Shqipërisë t’i merren tri pikë në tavolinë, ka ngjallë reagime gjithandej opinionit politike e sportiv në Shqipëri e Kosovë. Lidershipi politik, por edhe sportistët shqiptarë konsiderojnë se UEFA nuk ka ndarë marrë vendim objektiv, po e ka mbajtur anën e Serbisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se sot nuk u bë drejtësi për atë që ndodhi në stadiumin e Beograd. “Federata Shqiptare e Futbollit bën shumë mirë të hapë betejë gjyqësore deri në fund! Sot nuk u bë drejtësi për atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit”, ka shkruar Rama.

Reagimi i tij erdhi pasi Komisioni disiplinor i UEFA-së mori vendimin për ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri. Sipas këtij vendimi, UEFA vendosur që ndeshjen Serbi-Shqipëri ta regjistroj me rezultat zyrtarët 3:0 në favor të serbëve, ndërsa të dy skuadrat të dënohen nga 100 mijë euro gjobë.

Ka edhe një dënim për Serbinë, sipas të cilit pritet t’i hiqen 3 pikë. Por, konkluzionet zyrtare të hetimit të UEFA –s do të bëhen publike gjatë ditës.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) pasi ka konfirmuar vendimin e UEFA-s, ka mbajtur një konferencën për media, në të cilën është thënë se ky vendimi i UEFA-së, është i pa pranueshëm. Federata njofton se do të apelojë vendimin në gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Shqipëri, vendimi i UEFA-s në Apel

Armand Duka, kryetari i Federatës Shqiptare u shpreh i zhgënjyer me vendimin e Komisionit Disiplinor të UEFA-s. Ai siguroi se Shqipëria nuk pajohet kurrsesi me këtë vendim dhe do ta ndjekë çështjen në Apel.

“Jam i zhgënjyer nga vendimi por edhe e prisja. I zhgënjyer sepse ishte një vendim jo i drejtë dhe nuk e meritonim, por e prisja sepse kisha dëgjuar deklaratat e arbitërit të ndeshjes por edhe delegatit të ndeshjes. Ky vendim nuk i shërben askujt pasi është një vendim jo i drejtë”, tha Duka

Ai tha se Shqipëria nuk do të ndalet këtu.

“Do të ndjekim çështjen në Apel dhe do të kërkojmë të drejtat tona. Besoj se gjithçka do të ndryshojë. Ky vendim nuk ndikon në raportet tona me UEFA-n pasi ato do të jenë të njëjta, por thjesht nuk pajtohemi me vendimin”, u shpreh Duka.

Edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, vendimin e UEFA për ndeshjen e ndërprerë në mes Serbisë dhe Shqipërisë, e ka quajtur skandaloz.

“Sot në mëngjes me njoftoj presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për vendimin që ka marrë UEFA. Ky është një vendim skandaloz. Është një vendim politik. Nuk e kuptoj këtë vendim”, ka thënë Vokrri, sipas të cilit “kur në terren hedhen karriget, sulmohen lojtarët, dhe UEFA vendos në favor të Serbisë, ky është një vendim skandaloz”.

Të pakënaqur me këtë vendim u shprehen edhe trajneri dhe lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë.

Çfarë po ndodhë me UEFA-në

Trajneri Gianni de Biasi tha se vendimi i UEFA-s nuk na jep drejtësi, pasi Shqipëria në atë fushë u godit dhe u dhunua.

“Jam i zhgënjyer për një gjykim që nuk na japi drejtësi! Unë e kuptoj komisionin, por unë mendoj se është e vështirë për ne që të pranojmë një vendim të cilin ne jemi mposhtur në të gjitha frontet! Na kanë marrë atë që e kemi fituar në fushë! Çfarë duhet të ndodhë më?”, ka theksuar De Biasi.

Ndërsa kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana tha se vendim është skandaloz. “Kjo nuk është drejtësi”, ka shkruar Cana. Ai ka qenë njëri ndër lojtarët që është përfshirë fizikisht në huliganët serbë.

Edhe sulmuesi i Shqipërisë, Bekim Balaj, ka shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s. Balaj, i cili ishte sulmuar duke u qëlluar me karrige në kokë nga një huligan serb, në mënyrë ironike e falënderoi presidentin e UEFA-s, Michel Platini, për vendimin.

Balaj: Më fal Platini!!!

“Me fal Platini për stolin që desh e thyeva me kokë, bravo UEFA”, ka shkruar Balaj në Facebook.

Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe nënkryetar i Lëvizjes, Vetëvendosje, Shpend Ahmeti thotë se me vendimin e UEFA-s, shihet se propaganda serbe pati sukses.

“Tentimi i UEFA-s për ta balancuar dënimin është edhe njëherë tentim për ta qetësuar Serbinë sepse ata duhet akomoduar, duke pranuar kështu fashizmin si diçka që duhet heshtur e jo diçka që duhet luftuar. UEFA sot i tha PO racizmit. Qëndrimi zyrtar shtetëror me insistimin ne vizitë e relativizoi dhunën. E kosmpolitët e barazuan fajin”, shkruan ai.

Ai thotë se sulmuesi Bekim Balaj “duhet të të kërkojë falje që e prishi karrigen me kokë, Cana që e goditi këmbën e tifozit me stomak e Xhaka që e goditi grushtin e tifozit me fytyrë”.

Në anën tjetër nëpër rrjetet sociale në shqipëri po bëhet thirrje për protesta në tiranë.

Sipas disa njoftimeve, sonte në orën 18.00, para Kryeministrisë në Tiranë, do të mbahet një protestë qytetare me moton: “UEFA, don’t fuck with Albanians” (UEFA, mos e kruaj me shqiptarët”.