Lajme

Vera e dasmave dhe e zbrazjes së xhepave të diasporës

Dasmat, kështu siç bëhen në Kosovë janë një tregues fals social, pasi që të zotët e dasmave, me nivelin e shpenzimeve mundohen të tregojnë se cilës kategori sociale i përkasin

Muaji korrik dhe gusht, nuk janë muaj të zakonshëm të verës. Me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë në Kosovë ata bëhen “muajt e dasmave”. Është koha e “shyhretit”, e qejfit dhe e gëzimit në shumë familje kosovare.  

Megjithatë, kosovarët sado që konsiderohen si populli më i varfër në Evropë, kur është puna te dasmat, nuk ngurrojnë t`i shpenzojnë edhe centët e fundit, besa edhe të marrin hua apo kredi.

Florim Shabani nga Kamenica, i zhvendosur në Prishtinë, në vitin 2005 ka ardhur në Zvicër, si student. Para se të vinte këtu, ai ishte njohur me të dashurën e tij me të cilën është në lidhje prej nëntë vitesh, gjegjësisht nga viti i parë i studimeve. Pas përfundimit të studimeve për ekonomi, ai ka gjetur punë në profesionin e tij (Business intelligence developer and analist), me çka edhe ka rregulluar statusin e qëndrimit në Zvicër. 

Florimi ka vendosur që gjatë kësaj vere të martohet. Dasmën do ta bëjnë në Kosovë. Gjatë kohës sa jeton në Zvicër, ai, përpos për mbulimin e shpenzimeve të dasmës, është përpjekur të kursejë edhe për integrimin sa më të mirë të dashurës së tij në rrethin zviceran. Këtu hyjnë shpenzimet për kurse të gjuhës në Zvicër, për vazhdimin e magjistraturës etj. E ndërsa Florimi ka qenë i angazhuar me përfundimin e magjistraturës dhe me punën e tij, me organizimin e dasmës po merren prindërit, motra dhe e dashura. Sipas tij, gjithçka është duke shkuar për së mbari. Tashmë është rezervuar salla, muzika dhe gjithçka tjetër. 

Edhe pse Florimi, si njeri i shkolluar, dasmat  i shikon nga një prizëm tjetër, ai thotë se dasma e tij po del jo dhe aq e vogël. “Meqë kemi një familje dhe shoqëri të gjerë, , duket se dasma do të jetë e madhe, shikuar nga perspektiva zvicerane”, thotë ai. Ndërsa shton se në gazmendin e tij familjar do të ketë edhe mysafirë zviceranë. “Kam ftuar kolegë të mi nga Zvicra. Do të jenë 5 kolegë dhe dy kolege”. 

Dasmën do ta bëjnë në Hotel “Golden” në Prishtinë ndërkaq për atmosferë do të kujdeset këngëtari Visar Peja. Florimi mendon se kjo do të jetë një dasmë e ëndrrave, të paktën për të dhe të dashurën e tij. Ndërkaq kur e pyesim shpenzimet  e planifikuara për këtë dasmë, ai, me buzë në gaz, e ul kryet dhe thotë: “Ende jemi duke i mbledhur faturat (qesh). Po mundohemi që t`i mbajmë faturat sa më minimale”, shprehet Florim Shabani.

10 mijë deri në 30 mijë euro “kushton” martesa mesatare 

Ndonëse Florimi nuk pranoi të tregojë as shifrën e përafërt të dasmës së tij, një gjë është e sigurt: kosovarët vazhdojnë të shtjerrin xhepat e tyre nëpër dasma. Sipas të dhënave që ka siguruar albinfo.ch, prej 10 mijë deri në 30 mijë euro, varësisht nga “xhepi” i familjeve, është shuma që sillet për të organizuar një dasmë si duhet në Kosovë, ku tradita edhe më tej obligon që nusja dhe dhëndri të plotësojnë çdo adet të kërkuar.

Nga këto para që vijnë kryesisht nga diaspora, ata që fërkojnë më së shumti duart janë lokalet tregtare. Edhe pse këtë vit ankohen për rënie të punës, përfituesit më të  mëdhenj në gjithë këtë “gjymysh” duket të jenë bizneset hoteliere.

Valmir Sinani, menaxher i restorantit “Nobel” në Drenas shprehet i kënaqur më rezervimet që janë bërë për këtë sezon veror të dasmave. “Ne për këtë sezon e kemi të mbyllur, nuk kemi asnjë datë të lirë, të gjitha janë të rezervuara”, thotë menaxheri i këtij restoranti.

Sallat mesatare që posedojnë lokalet hoteliere mesatarisht kanë kapacitet për 300 – 500 veta, ndërkohë restoranti “Nobel” disponon sallë që zë nga 800 – 1200 ulëse, kurse menyja është nga 15 – 20 euro, varësisht nga kërkesat e organizuesit të dasmës.

“Mundohemi të ofrojmë ushqim cilësor dhe të freskët për mysafirët. Salla jonë është e bukur, e madhe, ka hapësirë për parking, mundohemi t`i plotësojmë të gjitha kërkesat e arsyeshme të dasmorit”.

Ndër elementet e rëndësishme të dasmës janë velloja e bardhë e nuses dhe veshja e dhëndrit. Por edhe shpenzimet për veshje të familjarëve tjerë nganjëherë nuk ia lëshojnë rrugën as vet çiftit të martuar. 

Lumnije Krasniqi, pronarja e butikut “Tabja Spossa” në Prishtinë, thekson se kërkesat për të blerë fustane dhe vello unikate janë shumë të mëdha. “Mund të them se jemi të kënaqur me shitjet dhe e veshjeve tona. Duket se fakti që jemi edhe prodhues, ka ndikuar te klientët që të preferojnë më shumë që të blejnë direkt tek ne se sa të shkojnë dhe të blejnë diku mall të stërshitur”, pohon ajo. 

“Eleganca duhet të paguhet”

Në shtëpinë e modës “Tabja Spossa” të gjithë fustanet elegante dhe vellot i prodhojnë vet sipas kreacioneve të tyre por edhe sipas kërkesave të klientëve. “Çmimi i vellove është nga 300 – 700 euro, kjo bazohet në materialin që e kërkon klienti, por ne si shtëpi e modës japim vello edhe me qira”, shprehet disenjatorja Lumnije Krasniqi e cila është profesoreshë në njërën nga shkollat e modës në Prishtinë. 

Zonja Krasniqi shton se femrat të cilat blejnë për dasma në dyqanin e saj, kërkojnë veshje sa më elegante. “Eleganca edhe duhet të paguhet. Martesa është diçka që ndodh vetëm një herë në jetë, dhe zakonisht femrat për martesa nuk kursejnë qoftë për vello apo edhe për fustane të tjerë”, tha ajo duke mos përjashtuar edhe kërkesat e mëdha për veshjet kombëtare.

Edhe pse duket se të rinjtë e Kosovës kanë filluar të bëhen më modernë, kur vjen puna të blerja e arit, tradita edhe më tej vazhdon. Dëshira për të pasur sa më shumë stoli nuk shuhet më asgjë, ani pse pjesa dërmuese vetëm i mbyll ato në ndonjë kuti dhe nuk i përdor më asnjëherë.

Sipas shitësve të stolive tashti më shumë në modë është argjendi, por nuk përjashtohet as ari. Ata thonë se një nuse blen mesatarisht deri në 3 mijë euro ari.

Ndërkohë, pjesë kryesore e një ceremonie të dasmës është edhe muzika. Tashmë dihet qartë se çmimi i këngëtarëve për një dasmë sillet nga 1500 – 4000 euro, varësisht se cilin këngëtar kërkon ta zgjedhë i zoti i dasmës.

Nuset e sotme duan dasmë me pajton ose me “oldtimer”

Viteve të fundit në modë kanë hyrë edhe veturat luksoze, pajtonët apo veturat e vjetra “Oldtimer” për çiftet të cilët mundohen të duken sa më bukur në ditën e martesës së tyre. Një nga kompanitë më të kërkuara për shërbimin me vetura  luksoze për dasma është “Kosova Limo” nga Ferizaj. Burak Gashi pronar i kësaj kompanie shprehet se veturat e tij janë mjaft të kërkuara nga çiftet për ditën e dasmës. “Disponojmë vetura të shumta luksoze, pajtona por kemi edhe vetura

“Oldtimer”. Kërkesat janë të shumta, ndërsa çmimi i tyre sillet nga 350 euro deri në 450 euro varësisht edhe nga largësia ku duhet shkuar”, tha pronari i “Kosova Limo”.

Ndërkohë ekonomisti dhe fituesi i shumë çmimeve për gazetari në sektorin ekonomisë, Zekirja Shabani theksoi për “albinfo.ch” se niveli i shpenzimeve tek ekonomitë familjare varet nga të hyrat që karakterizojnë gjendjen e tyre socio – ekonomike. “Varësisht prej mirëqenies familjare, variojnë edhe shpenzimet, sidomos ato të luksit, në të cilat në këtë rast do t’i kategorizoja edhe shpenzimet për dasma, fejesa dhe ahengje tjera familjare. Organizimet e tilla janë një tregues fals social, pasi një numër i madh i qytetarëve me nivelin e shpenzimeve mundohen të tregojnë se cilës kategori sociale i përkasin. Kjo nuk është diçka e re, përveç që së fundi njësia matëse e luksit ka ndryshuar. Prandaj edhe tendenca për të shpenzuar sa më shumë para për organizime luksoze të dasmave, fejesave, apo ngjarjeve tjera, është rritur. E gjithë kjo, nëse merren parasysh parametrat ekonomike në vend, shihet se kemi një gjendje jo të kënaqshme socio – ekonomike, pasi niveli i shpenzimeve me të hyrat nuk janë në harmoni”, u  shpreh Zekirja Shabani në fund të bisedës.

Sidoqoftë, secili ka të drejtën e tij të zgjedhjes se sa të shpenzojë dhe si të festojë për dasma apo ahengje të tjera familjare!

Marrin kredi për martesë

Në shumë raste, që familjet të dalin sa më “faqebardhë” ato nuk ngurrojnë as nga marrja e kredisë për ceremonitë e tyre familjare: “Nevoja për t’u shfaqur sa më lartë në shoqëri i shtyn shumë kosovarë që t’u drejtohen bankave për t’i mbuluar shpenzimet e dasmave apo organizimeve tjera. Këtë formë të financimit të shpenzimeve nuk do ta rekomandoja aspak, pasi dasmat dhe organizimet tjera nuk gjenerojnë të hyra me të cilat mbulohen këstet e kredisë”, thotë profesionisti i ekonomisë, Shabani, i cili mendon që më mirë do të ishte që këto para që shpenzohen për dasma të orientohen në një pjesë tjetër për të mirën e jetës së tyre.

“Në Kosovë është karakteristike se shpenzimet më të mëdha për dasma bëhen nga familjet e mëdha, familje shumanëtarëshe, që jetojnë në një shtëpi të vetme. Në këtë rast shumë më mirë do të ishte që çifti i ri të ndante një pjesë të mjeteve nga dasma për të bërë zgjidhje për të siguruar hapësirë banimi”, thotë Z. Shabani.