E enjte, 2 Tetor, 2014 - 12:23
Subscribe to Syndicate
download

Shoqëria civile në Kosovë – peng i politikës së pacivilizuar

01.10.2011 - 12:15
Në fokus të një simpoziumi të mbajtur në Lucern ishte shoqëria civile në Kosovë, përbërje, fuqia dhe ndikimi i saj në shoqërinë kosovare

A ekziston në Kosovë diçka që mund të quhet “Shoqëri Civile” apo kjo është më shumë një fiksion? A duhen nënkuptuar me termin “Shoqëri Civile” organizatat joqeveritare dhe kujt i duhen 5200 OJQ në Kosovën prej 1 milion e 700 mijë banorëve?!

Këto pyetje dhe dilema ishin në qendër të simpoziumit “Zhvillimi i shoqërisë civile në Kosovë: bilanci dhe perspektivat” të mbajtur më 28 shtator në Lucern, organizuar nga Shkolla e Lartë për Punës Sociale e Lucernit.

Kjo shkollë, nën drejtimin e dr. Walter Schmid, organizon prej pesë vitesh, rregullisht simpoziume, në të cilat, me ndihmën e njerëzve kompetentë nga Kosova dhe nga Zvicra, merr në shqyrtim aspekte të ndryshme të realitetit kosovar.

Avni Zogiani gjatë debatit

Në fokus të simpoziumit të sivjetmë ishte shoqëria civile në Kosovë, përbërje, fuqia dhe ndikimi i saj në shoqërinë kosovare. Të ftuarit nga Kosova ishin Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci, Luftim të korrupsionit dhe Dinjitet “Çohu” dhe Vjollca Krasniqi nga Rrjeti i Grave i Kosovës. Ndërsa nga ana zvicerane, me referate u paraqitën: Andreas Ernst, korrespondent në Beograd i NZZ am Sonntag; Hilmar Stettler nga organizata Helvetas Interoperation, Leo Meyer nga Organizata Humanitare HEKS, Anne Moulin nga DEZA dhe Gülcan Akkaya nga Shkolla e Lartë për Punë Sociale në Lucern.

Në referatin e tij, Avni Zogiani i ka bërë një analizë funksionimit të levave kryesore të pushtetit të ndërkombëtarëve në Kosovë. Që nga titulli “Roli i komunitetit ndërkombëtar - lehtësim ose fatkeqësi?” mund të lexohet edhe qëndrimi mjaft kritik i autorit lidhur me rolin e “ndërkombëtarëve” në Kosovën e pasluftës.

Anne Moulin Ammich, përfaqësuese e DEZA-s  

- Roli i faktorit ndërkombëtar – ende determinues

Zogiani ka vënë në pah rolin, sipas tij gjithnjë determinues, të faktorit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe në atë të gjyqësisë. Pas luftës KFOR-i dhe UNMIK-u kishin pushtetin absolut, ndërsa edhe kur, më vonë ato krijuan institucionet përkatëse kosovare (Policinë, TMK-FSK-në, etj.) fuqia supreme mbeti në duar të tyre, të KFOR-it respektivisht të ENMIK-ut e më vonë EIULEX-it, u shpreh kreu i organizatës ÇOHU. E gjithë përpjekja e faktorit ndërkombëtar në Kosovë, sipas tij, ka shkuar në drejtim të ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit. Dhe kjo ka dëmtuar proceset e demokratizimit të shoqërisë kosovare, ka konstatuar Zogiani. K”y qëndrim ka krijuar hapësirë të përshtatshme për zhvillimin e korrupsionit dhe kriminalizimin e klasës politike”. Shoqëria civile dhe media e lirë, sipas këtij referuesi, në Kosovë janë më tepër emra fiktivë. Në kushtet kur nuk ka një ekonomi funksionale, edhe këto segmente janë të lidhura, nga donacionet e jashtme ose nga politika vendore, gjë që i bën pak efektive dhe të besueshme.

Vjollca Krasniqi është paraqitur me referatin “Gjinia dhe zhvillimi i qëndrueshëm social” me ç`rast ka identifikuar problemet që karakterizojnë gjendjen e femrës në shoqërinë e sotme kosovare. Ajo është ndalur në rolin që realisht ka gruaja sot në shoqërinë e Kosovës, rol ky që, sipas Krasniqit, ka evoluar në kuptimin pozitiv pas luftës. Por, ka nënvizuar ajo, barazia e gruas në Kosovë vazhdon të jetë gjysmake, më shumë e përqendruar në aspektin formal të saj dhe larg për të qenë një barazi e vërtetë. Këtë ajo e ilustroi me kuotat e detyrueshme të përfaqësimit të femrës në parlament dhe së fundi me zgjedhjen e një gruaje për presidente të Kosovës. Ajo ka tërhequr vërejtjen ndaj rolit “ilustrativ” që po i jepet femrës në shoqërinë kosovare dhe për abuzimin me femrën si objekt joshjeje në reklamat dhe në estradën e Kosovës.

Vjollca Krasniqi

- Shoqëria civile, viktimë e politikës që e konsideron shtetin si pronë të saj

Korrespondenti i NZZ am Sonntag në Beograd, Andreas Ernst në referatin e tij “Zhvillim i shoqëror në Kosovë- dinamikë apo stagnim?” i ka bërë një vështrim kritik shkallës së emancipimit të shoqërisë kosovare. Ernst pranon se në Kosovë ka një shoqëri civile, por ajo, sipas tij, është e kufizuar kryesisht në ekzistimin e një kulture urbane të të rinjve. Problemin e mospasjes së një shoqërie të fuqishme civile atje, Ernst e lidh me “tendencën e klasës politike, për ta shpallur shtetin si pronë të tyre. Kjo tendencë, që bazohet në mobilizimin për luftën për çlirim dhe jo në atë për të drejta të qytetarëve”, sipas tij, e ngulfat synimin për demokratizim të kësaj shoqërie.

Hilmar Stettler nga organizata “Helvetas Interoperation” ka bërë një analizë të hollësishme të funksionit të administratës lokale në Kosovë, në raport me OJQ-të. Ai me këtë rast u është referuar edhe përvojave të veta, duke nënvizuar vështirësitë e punës në terren. Por, krahas problemeve, sipas Stettler, ka edhe arritje, në avancimin e kuptimit të rolit të pushtetit lokal dhe të bashkëpunimit të këtij të fundit me shoqërinë civile.

Leo Meyer nga Organizata Humanitare HEKS, në referatin e tij ka përcjellë përvojat e tij të punës në Kosovë. Sipas tij, organizatat sikur ajo që përfaqëson ai, në Kosovë janë të mirëseardhura edhe nga strukturat e pushtetit, “për sa kohë që ato ofrojnë shërbime që do të duhej t`i ofronte shteti. Por kur kërkohet ndihma e strukturave shtetërore, këtu, kryesisht përfundon bashkëpunimi”, ka vërejtur Meyer.

- 5200 OJQ për më pak se 2 milionë banorë!

Anne Moulin Ammich, nga Drejtoria për Zhvillim dhe Bashkëpunim, DEZA, në referatin e saj ka shpalosur temën e bashkëpunimit Zvicër-Kosovë në dritën e një strategjie afatgjatë. Moulin Ammich, e cila ushtron funksionin e udhëheqëses së programit për Kosovën në kuadër të DEZA-s, është fokusuar në aspektin e ndihmave që jep në vazhdimësi DEZA për avancimin e shoqërisë civile në Kosovë. Ajo ka përshkruar rrugën e formimit të kësaj shoqërie, duke filluar nga viti 1989 kur ka filluar ky zhvillim i ri për Kosovën, në kushte të represionit, e deri më sot. Me këtë rast, fazën 1999 -2005 ajo e quan fazë të boom-it të madh që ka përjetuar zhvillimi i OJQ-ve, të angazhuar kryesisht në ofrimin e ndihmave për popullatën. Ndërsa fazat 2005-2008 dhe 2008 deri më sot janë periudha të reduktimit të madh të numrit të OJQ-ve në Kosovë, si rezultat i stabilizimit por edhe i ndaljes së mjeteve nga jashtë.

Studiuesja nga Shkolla e Lartë për Punë Sociale e Lucernit, Gülcan Akkaya ka lexuar referatin me titull “Roli i OJQ-ve në zhvillimin e shoqërisë kosovare”. Akkaya ka punuar një master me këtë temë dhe ka qëndruar në Kosovë, ku ka studiuar zhvillimin e shoqërisë civile atje. Sipas hulumtimeve të saj, zhvillimin e kësaj shoqërie në Kosovë e ndjekin shumë të meta. Në mesin e tyre është perceptimi i OJQ-ve si mjet për të siguruar paga për themeluesit e tyre. Kjo ka bërë që në Kosovë në një periudhë kanë qenë të regjistruara rreth 5200 OJQ, që i bie se një OJQ ka “funksionuar” për rreth 300 kosovarë, ka nënvizuar Akkaya. Edhe sot, kur numri i OJQ-ve pak a shumë funksionale kufizohet në rreth 300, shumica e madhe e tyre janë pasive ose aktivizohen vetëm herë pas here, në varësi të pagesave që marrin nga jashtë.

- Zvicra ka udhëhequr politikë pragmatike për Kosovën

Lidhur me OJQ-të, shoqërinë civile në përgjithësi, rolin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovën e pasluftës etj. u bisedua edhe në podiumin në përmbyllje të punimeve të simpoziumit. Këtu, nën moderimin e dr. Schmid, qëndrimet e tyre i prezantuan Eduard Gnesa, ambasador i posaçëm për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushë të migracionit, Gülcan Akkaya dhe Andreas Ernst.

Ambasadori Gnesa ka vlerësuar ndihmesën e madhe që ka dhënë Zvicra në gjithë periudhën e pasluftës në Kosovë, duke e parë atë si një ndihmë substanciale dhe të orientuar në përmirësimin e jetës së banorëve atje. Ai ka pranuar se Zvicra, duke qenë një vend i vogël, sa i përket “politikave të larta” në sferën e sigurisë e të zhvillimit politik e shoqëror i është nënshtruar inercionit të imponuar nga fuqitë e mëdha. Por, sipas tij, me gjithë të metat, në asnjë mënyrë nuk duhet mohuar roli i pazëvendësueshëm i bashkësisë ndërkombëtare gjatë gjithë këtyre viteve në Kosovë.

Dy mysafirët nga Kosova, Vjollca Krasniqi dhe Avni Zogiani u janë përgjigjur një sërë pyetjesh nga pjesëmarrësit e simpoziumit, që kishin të bënin me Kosovën në përgjithësi dhe veçmas me zhvillimet aktuale atje.

Reklamë

Reklamë

Kosova, pesë muaj në krizë Analistët politikë nuk i përjashtojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme si alternativë për ta zgjidh krizën politike në Kosovë. Sipas tyre, Kosova është futur në krizën më të madhe politike
Transnacionale
© albinfo.ch
Diaspora po ndryshon Në Delemont u realizua një konferencë me vlerë shkencore dhe integruese me temë: “Vështrim mbi rolin e diasporave midis integrimit dhe kontributit në zhvillimin e vendit të origjinës”
© albinfo.ch
Jeta në mes të dy kulturave: Nëse je zviceran, nuk do të thotë të mos ndihesh edhe shqiptar Tema e përkatësive kulturore është rrahur në tryezën e debatit të titulluar "Jeta në mes të dy kulturave", në organizim të shoqatës “Parandalo” në Cyrih
Zvicër
© albinfo.ch
"Furriku i dreqit", drama që solli në kujtesë përjetimet e luftës Në këtë dramë, aktorët paraqitën atmosferën e luftës në Kosovë, të vrasjeve e përdhunimeve që janë bërë gjatë asaj periudhe

Reklamë

Moti

Bernë

Broken clouds
  • 17 °C
Reported on:
Enj, 02/10/2014 - 11:50

Prishtinë

Clear sky
  • 17 °C
Reported on:
Enj, 02/10/2014 - 12:00

Cyrih

Broken clouds, mist
  • 15 °C
Reported on:
Enj, 02/10/2014 - 11:50

Shkup

Clear sky
  • 18 °C
Reported on:
Enj, 02/10/2014 - 11:30

Newsletter

Reklamë

Kursi i valutave

Amount to convert

Reklamë

Facebook

Copyright © 2010 albinfo.ch. All Rights Reserved.

Përdorimi i shkrimeve, fotografive si dhe materialeve të kësaj platforme mund të bëhet vetëm duke e përmendur burimin albinfo.ch. Cdo shfrytëzim dhe riprodhim i tyre pa lejen e albinfo.ch është i ndaluar dhe përbën shkelje e të drejtave autoriale .
Redaksia e mban të drejtën për mosbotimin dhe moskthminin e dorëshkrimeve, fotografive apo materialeve të tjera të dërguara.

Rreth nesh

Karta


Bashkëpunimi
Shkabaj