Integrimi

Roli i shoqatave shqiptare në Kantonin Vaud

Komuniteti shqiptar filloi të organizohet në formë shoqatash me ardhjen e grupeve të para të azilkërkuesve shqiptarë në Zvicër, të larguar nga regjimi diktatorial i ish-Jugosllavisë.

Bëhet fjalë për periudhën kohore pas demonstratave të viteve të ’80-a në Kosovë, e sidomos pas fillimit të luftës në Bosnjë e Kroaci.

Aktivitetet e shoqatave shqiptare synonin mobilizimin kombëtar, për rritjen e ndjeshmërisë kombëtare, ndihmës ekonomike, arsimore, informimin për situatën që mbretëronte nën regjimin serb të dhunës në Kosovë, etj.

Kështu thuhet në studimin „Shoqatat shqiptare në kantonin Vaud” të autorit Migjen Kajtazi, i cili hedh dritë mbi organizimin e komunitetit shqiptar në Zvicër, përkatësisht në Kantonin Vaud, duke marrë për bazë aspektin e përshkrimit historik, analizës dhe krahasimit me punimet e tjera, e sidomos studimi është fokusuar në tri periudha të mëdha të rolit të shoqatave shqiptare.

Autori ka trajtuar këtë tematikë, duke marrë për bazë aktivitetin e tij së pari në Shoqatën e studentëve shqiptarë në Universitetin e Lozanës, pastaj si përgjegjës regjional në kuadër të Zyrës kantonale të integrimit dhe duke qenë në kontakt prej 10 vjetësh me pothuajse të gjitha shoqatat shqiptare.

Ndërkohë, sa i përket konceptit dhe metodologjisë autorit i ka ndihmuar fakti që ka qenë koordinator i botimit të adresarit të të gjitha shoqatave, organizmave dhe institucioneve që punojnë me emigrantë në kantonin Vaud.

Adresari përmbledh afër 500 adresa :http://www.integrationvaud.ch/downloads/CSP_Contacts_2006.pdf

”Në mbledhjen e të dhënave më ka shërbyer kontakti i drejtpërdrejtë me shoqatat gjatë kërkimeve cilësore dhe njëherësh puna që kam bërë si punonjës në Bibliotekën kantonale e Universitare”, tha për albinfo.ch Migjen Kajtazi.

”Gjersa komunitet e tjera evropiane kishin mbështetjen e shtetit nga vinin, komuniteti shqiptar në Zvicër ishte i përndjekur prej tij. Mundësitë e organizimit ishin të vogla”, thuhet në studimin “Shoqatat shqiptare në kantonin Vaud”, të autorit Migjen Kajtazi.

Në organizmin e parë shohim organizmin në baza sportive-klube sportive, e sidomos atë të futbollit. Ka dy supozime për arsyen e organizmit të shqiptarëve në klubet sportive.

„Rregullat e futbollit, si sport më i përhapur dhe më i njohur në botë, është e lehtë për t’u praktikuar edhe nga personat që nuk njihen mes vete dhe që nuk e flasin të njëjtën gjuhë. Organizimi i komunitetit shqiptar, së pari në klube sportive, ishte më i pranueshëm në aspektin politik, praktikisht rreziku i përndjekjeve politike në Jugosllavi ishte më i vogël“, thuhet në studim.

Ndërsa, pse komuniteti shqiptar dhe shoqatat e tij filluan të organizohen në formë shoqatash vetëm me ardhjen e grupeve të para të azilkërkueseve shqiptarë në Zvicër, të larguar nga regjimi diktatorial i ish-Jugosllavisë, sipas supozimeve të studimit, azilkërkuesit shqiptarë ishin më të përgatitur në aspektin arsimor, por edhe ngase kërkuesit shqiptarë të azilit politik, duke mos pasur mundësi të vizitës në vendlindje, veprimtarinë e tyre kombëtare e zhvillonin më hapur në Zvicër.

”Manifestimet e komunitetit shqiptar kishin karakter të mobilizimit për çështje të mbijetesës dhe të lirisë. Nuk është e rastësishme që komuniteti shqiptar filloi të botojë gazetat e veta në Zvicër, apo të krijojë bazat e organizmit politik, ekonomik, arsimor e ushtarak”, thuhet më tutje në këtë studim.

Preokupimet dhe qëllimet e ekzistencës së shoqatave shqiptare në Zvicër u profilizuan në lidhshmëri me ngjarjet në Kosovë e në trojet shqiptare në Ballkan.

”Shembulli më paradigmatik, në planin vendës, është gazeta «Zëri i Kosovës», e botuar në Zvicër nga vitet 1984-1999, e cila pothuaj në të gjithë artikujt kryesorë kishte ilustrimin e gjendjes në trojet shqiptare”, thotë hulumtimi.

Këtë shqetësim e shohim po ashtu në organizimet e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë pranë Universitetit të Lozanës, e themeluar në vitin 1994 dhe e njohur nga rektorati i Universitetit të Lozanës.

Më pas në këtë përshkrim historik të shoqatave thuhet se e njëjta situatë vazhdoi gjatë luftës në Kosovë e Maqedoni, me ç’rast mobilizimi i shoqatave shqiptare në kantonin Vaud ishte gjithëpërfshirës dhe kontributi i tyre shtrihej në të gjitha fushat.

Pas përfundimit të luftës, në Kantonin Vaud filloi një periudhë e hapjes së shoqatave dhe ndryshimit të qëllimit dhe të arsyeve të ekzistencës së tyre.

Tani, në kantonin Vaud, duke u bazuar në adresarin e shoqatave, institucioneve, shoqërive që punojnë në fushën e integrimit, mund të shohim që ky regjistër numëron mbi 500 shoqata të tilla.

Në këtë adresar shoqatat shqiptare paraqiten me 15 subjekte – shoqata që prekin fushën kulturore, muzikore, edukative, ekonomike, sportive, etj.

Fakti që në Kantonin Vaud pas luftës së Kosovës është themeluar Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare, i Shoqatës së Inxhinierëve etj., tregon që asociacionet dhe institucionet janë duke u përshtatur nevojave dhe kontekstit kohor.

Edhe shoqatat e tjera të themeluara pas lufte në statutin dhe në aktivitetet e tyre si qëllim pune kanë promovimin e kulturës shqiptare, krijimin e rrjeteve dhe të hapësirave për shkëmbim kulturor, ekonomik, sportiv etj., mes komunitetit shqiptar dhe shoqërisë nikoqire si dhe komuniteteve të tjera.

”Integrimi i komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane dhe në shoqëritë e tjera perëndimore po jep rezultate pozitive, jo vetëm për komunitetin shqiptar që jeton në këto vende. Ato shoqëri shërbejnë si një urë që Kosova e Shqipëria të integrohen më shpejt e më lehtë në komunitetin evropian”, thotë autori Migjen Kajtazi.

Informata më të thelluara për shoqatat  shqiptare në Kantonin e Lozanës dhe rolin e tyre përmban studimin i autorit në gjuhën frënge, i hartuar në kuadër të CAS në Universitetin e Lozanës: “Les associations d’immigrés albanais dans le canton de Vaud: Quel rôle pour les associations?, 2010”.