Integrimi

Trilogjia e pushimit të një “auslanderi”

Qëndrimi në vendlindje/atdhe (por, jo mëmëdhe)

Shablloni i bisedave me pjesën më të madhe të njerëzve zhvillohej brenda kornizave të këtyre tre pyetjeve: “Kur erdhe?; Sa do të rrish? dhe Kur do të shkosh?”. Pastaj më bëhej një analizë nëse kam shtuar ose humbur peshë, që në fund të më parashtrohet pyetja: “Çka ka të re andej nga ju?”, që natyrshëm nënkuptonte përgjigjen time standarde: “Asgjë, krejt me të vjetra.”

Dalja në komunikacion me automjet me targa të huaja të bënte të ndjehesh më tepër jashtëtokësor sesa “auslander”. Vendosja e rripit të sigurisë përcillej nga bashkudhëtarët me një tog fjalësh të tipit “A lidhet burri?” ose, në rastet më ekstreme, “Vetëm qeni lidhet”. Dhënia përparësi në komunikacion ose ndalimi para zebrave shkaktonte habi te këmbësorët dhe sirena të shumta të veturave mbrapa, të cilat sikur donin të më thoshin “Po kush ta ka dhëne lejen ty?”, në mos edhe diçka shumë më ofenduese. Specifikacionet e makinës sime nuk duhej t’i mbaj mend, pasi që ato secili i dinte më mirë se unë. E vetmja gjë që mbetej mister ishin pyetjet: “Sa i ka t’kalume” dhe ajo pyetja e pashmangshme “Sa pare?”. Andaj që të jem më rehat, vendosa ta përdor biçikletën, për të cilën, megjithatë, më pyetën mos e kam sjell prej jashtë. Ndërsa, për shprehitë tjera vozitëse të auslanderave, as që ka nevojë të shkruaj, pasi që pasojat shiheshin gjithandej. Do të mjaftonte që secili, përveç makinave gjermane, të sillte me vete edhe disiplinën e vozitjes së vendeve ku qëndrojnë dhe ku me të madhe i rrespektojnë.

Mëngjesi i 26 korrikut më befasoi për të mirë, por edhe më ngjalli mendimin spekulativ aq të pranishëm në mjedisin ku gjendesha. Rruga kryesore e lagjes ku kam jetuar pothuajse 30 vite shtrohej me asfalt. Janë pothuajse 51 vjet që kur kjo lagje ishte ndërtuar si strehimore e përkohshme pas tërmetit të Shkupit (26 korrik, 1963) dhe, sa e mbaj mend unë, ky ka qenë intervenimi i parë i kësaj natyre. Në afërsi, te parku i fëmijërisë sime, që dikur ishte edhe me drurë dhe ku luheshin kampionatet më të rëndësishme mes mëhallave, tash në mesin e barit të thatë dhe hapësirës pa drurë, për gëzim të fëmijëve të mëhallës, ishte ndërtuar një lojtore për ta. Gjëja më e panatyrshme në gjithë këtë konstalacion ishte se zgjedhjet parlamentare ka disa muaj që kishin përfunduar dhe se intervenime të këtilla janë të zakonshme vetëm gjatë periudhës parazgjedhore. Sidoqoftë, para ose pas zgjedhjeve, gabimisht ose me qëllim, edhe pse vetëm sipërfaqësisht, rruga e lagjes sime u shtrua me asfalt, ndërsa fëmijët fituan një lojtore.  

Qëndrimi në vendlindje nuk do të ishte qëndrim në plotkuptimin e fjalës nëse nuk përcillej me sëmundje dhe vizitë të ndonjë spitali. Për fat të mirë asgjë serioze, pos ballafaqimit me realitetin e shëndetësisë së një vendi i cili aspak nuk korrespondon me paraqitjen mediale në CNN, ku me të madhe aludohet: “Invest in Macedonia”. Koha ishte ndalur, si ajo e orëve “Simens” të para 30 vjetëve të varura në tavanet e larta të spitalit, ashtu edhe koha e rinovimit të ndërtesës dhe reformimit të mirëfilltë të shëndetësisë. Ndryshimet e vetme, flas vetëm për ato të dukshmet, ishin pllakat e reja të disa prej korridoreve dhe posterët e ngjitur përmbi muret gjysmë të bardha, ku ftohej popullata të dhurojë organet e veta, me siguri pas vdekjes, për të shpëtuar jetën dikujt tjetër dhe për t’u bërë kështu HERO! Hero meritonin të quhen vetëm ata të punësuar, të cilët përkrah kushteve, mundoheshin ta ruanin profesionalizmin e tyre, si dhe pacientët, të cilët duhej ta mbijetonin qëndrimin në këtë institucion.

Që qëndrimi të marrë karakter edhe të pushimit, kryesisht me qëllim të postimit të fotografive në Facebook, duke treguar se si jemi duke u kënaqë, disa ditë duhej kaluar edhe në pushim pranë ndonjë hapësire të madhe me ujë: pishinë, liqe (si në rastin tim) ose det. Duke marrë parasysh rrethanat familjare dhe socio-ekonomike, përzgjedhja ime ishte Struga – qyteti ku mbi 50% të popullatës janë shqiptarë dhe ku gjatë Mbrëmjeve të Poezisë shqipja përmendet sa për sy e faqe. Poezitë nuk mbërriva t’i dëgjoj, por kisha rastin ta njoftoj një shurdhmemec, i cili kishte mësuar shumë nga politikëbërja në vend. Me fjalë tjera, duke pirë kafe në njërin prej lokaleve buzë liqenit, ky kuazi-shurdhmemec, u afrua dhe në tavolina linte letra ku jepej shpjegim se ai është shurdhmemec dhe se çfarëdo ndihme me të holla do të ishte e mirëseardhur. Ajo që e karakterizoi këtë të ashtuquajtur shurdhmemec, ishte se në atë letër kishte vendosur flamurin kombëtar, duke i dhënë këtij akti një dimension patriotik. Aq prej këtij “shurdhmemeci”, i cili më rikujtoj shumë tipare të politikanëve të sotëm: mbesin shurdhër ndaj kërkesave të qytetarëve dhe kur flasin nuk thonë asgjë, ndërsa e paraqesin flamurin si të arriturën më të madhe kombëtare.

Gjithë qëndrimi në vendlindje do të ishte i mangët nëse mungonte edhe elementi i festimeve, dasmave dhe gëzimeve të ndryshme. Përderisa ditës gjithandej dëgjoheshin sirenat e makinave të krushqive, që shkonin të marrin nuse me një varg veturash, domosdoshmërisht të markave luksoze gjermane dhe me dritare të hapura prej ku shihej, mes tjerash, edhe dora e majtë e vozitësit; mbrëmjet karakterizoheshin me fishekzjarre, që, më sa duket, shënonin arritjen e çiftit në sallën e dasmës. Gjithë ai aheng e festim të bënte të harrosh shumë gjëra, të cilat të pritnin që ditën e ardhshme në mëngjes.