Integrimi

U japin fëmijëve emra të huaj “për t`i mbrojtur nga diskriminimi”

Kohët e fundit vërehet një trend i marrjes së emrave të vendësve si “maskë” për t’i ikur diskriminimit eventual etnik në shoqërinë vendëse

Emri është element identifikues kryesor i njeriut, mirëpo kohët e fundit duket se edhe ky element është duke rrëshqitur drejt globalizmit, duke e humbur dhe njëkohësisht fshehur identitetin kombëtar të njeriut.

Ky fenomen po ndodh te ne shqiptarët kudo që janë, duke u vënë emra “modern” fëmijëve. Por ky “modernizim” i emrave që po ua lënë prindërit shqiptarë fëmijëve të tyre sa reflekton integrimin kulturor apo asimilimin e komunitetit shqiptar në Zvicër?

Për këtë çështje mjaft të ndjeshme flet Xhemail Ferizi, sociolog shqiptar që jeton në Zvicër.

“Edhe pse nuk kemi hasur në ndonjë studim të mirëfilltë sociologjik që flet saktë për këtë dukuri, nëse bazohemi në regjistrat e institucioneve zyrtare në Zvicër, si spitale, çerdhe fëmijësh, shkolla etj., mund të konstatojmë se ky trend është në rritje. Emërtimi i fëmijëve me emra shqiptarë, sidomos në diasporë, është i një rëndësie të veçantë, se e identifikon me etninë, kombin dhe atdheun e vet. Emri në rastet më të shpeshta, kur kalohet në shkallë më të lartë të “integrimit”, siç e quajnë disa teoricienë socialë, apo më mirë të thuhet, bën të rrëshqitet drejt asimilimit. Kur mund të harrohen gjuha dhe kultura e origjinës, mbetet i vetmi element që e identifikon një individ për prejardhjen”, thotë sociologu Ferizi.

Ai shton më tutje se më së miri këtë na e vërteton e kaluara e emigrantëve më të hershëm shqiptarë të asimiluar në shumë vende të botës, e që tani pos emrave, apo më mirë të thuhet mbiemrave, nuk kanë asnjë shenjë tjetër identifikues për origjinën e tyre.

Kohët e fundit vërehet një trend i marrjes së emrave të vendësve si “maskë” për t’i ikur diskriminimit eventual etnik, nga ana e institucioneve dhe shoqërisë vendëse. Ka të atillë që fëmijët e tyre i emërojnë me emra që mund të kenë dykuptimësi, si p.sh. Jon,(Gjon) Adriatik, Adrian (Ardian) etj.

“Nëse prindërit shqiptarë mendojnë se duke iu shmangur emrave shqiptarë dhe duke marrë emra të huaj ua lehtësojnë fëmijëve të tyre prosperitetin në vendet ku jetojnë, mendoj se gabojnë, sepse duke fituar një privilegj jo gjithmonë të sigurt e humbasin atë më kryesoren, krenarinë kombëtare”, tha Xhemail Ferizi, i cili shpjegoi më tutje se prindërit shqiptarë në diasporë duhet të jenë më të kujdesshëm në zgjedhjen e emrave për fëmijët e tyre dhe t’u lënë atyre emra me kuptim shqip, pa marrë parasysh problemet dhe peripecitë që mund të hasin në të gjitha sferat e jetës.

Mirëpo, pak më ndryshe mendon Vjollca Salihi, e cila është shtatzënë dhe pret të bëhet nënë. Ajo thotë se tash jemi duke jetuar në një kohë tjetër, dhe se emri duhet të jetë sa më i lehtë dhe i shkurtë, në mënyrë që të mund ta shqiptojë secili person pa marrë parasysh se çfarë nacionaliteti është.

“Ne jetojmë në një shtet perëndimor dhe mendoj se emri nuk luan një rëndësi të veçantë për zviceranët. Ne jemi ata të cilët i japim kuptim emrit, pa marrë parasysh se si tingëllon emri. Modernizimi i emrave shqiptarë është duke ecur në një rrugë nëpër të cilën të gjithë popujt kanë ecur. Kjo është një gjë normale dhe secila familje dëshiron që fëmijës së tyre t’ ia lërë një emër të veçantë dhe të ri”.

Vjollca fëmijën e saj, të cilën po e pret, dëshiron ta emërojë Alisa dhe thotë se ky emër thjesht i pëlqen, ashtu si edhe burrit të saj, dhe janë të pajtimit.

“Emrin do t’ia lë Alisa, është emër që tingëllon bukur, ashtu që edhe vajza ime kur të rritet shpresoj se nuk do të zhgënjehet, sepse është emër që i qëndron kohës”, tha Vjollca Salihi, e cila mezi e pret ditën që të bëhet përsëri nënë.

Sido që të jetë, mjafton nëse shpalosim faqe interneti të spitaleve, ku lindin foshnjat, aty mund të shohësh se ka plot të sapolindur shqiptarë me emra të rinj dhe të padëgjuar më parë.