Zhvillim

Përmirësohet klima e të bërit biznes në Kosovë

Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) e financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran po mbështete përmirësimin e imazhit biznesor në Kosovë

Klima e të bërit biznes në Kosovë është përmirësuar dukshëm, prandaj edhe investitorët e huaj tashmë Kosovën e shohin si vend të përshtatshëm për investime. Kështu thuhet në një analizë publikuar të enjten, e cila është realizuar me investitorët aktualë dhe potencialë gjatë vitit të kaluar.

Analiza me titull: “Perceptimit të Investitorëve në lidhje me Ambientin e Biznesit në Kosovë” është realizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC) të financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike.

Ky raport paraqet një përmbledhje të gjetjeve të marra përmes një ankete me Investitorët aktualë dhe potencialë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj tha se ky është një raport në kuadër të përpjekjeve që MTI-ja po bën që të krijojë një ambient më të favorshëm për tërheqjen e investitorëve.

“Ju e dini që falë disa prej iniciativave të ndërmarra nga MTI-ja, por edhe ministritë e tjera në kuadër të Qeverisë së Kosovës, Kosova ka shënuar një përparim të dukshëm në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes”, ka thënë ministri Nikaj, sipas të cilit, në vitet e fundit është shënuar një lëvizje prej rreth 40 vendesh në rangimin e përgjithshëm.

Ministri Nikaj theksoi se këto reforma kanë ndikuar që Kosova të tejkalojë shumicën e vendeve të rajonit në rangimet në raportin e Bankës Botërore për biznes, dhe gjithashtu të ketë një rritje të investimeve të huaja gjatë vitit të kaluar.

Ndërsa Sagita Muco nga Korporata Ndërkombëtare Financiare në Kosovë, tha se kjo Korporatë është pjesë e grupit të Bankës Botërore, që merret më shumë me sektorin privat.

“Ne që nga viti 2013 bashkëpunojmë me Qeverinë nëpërmjet projektit të përmirësimit të klimës së investimeve në bashkëpunim edhe më Qeverinë Zvicerane, dhe jemi duke e ndihmuar Qeverinë duke e mbështetur për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe të politikave për rritjen e tërheqjes së investimeve në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Christoph Lang, zëvendësdrejtor i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, falënderoi të gjithë ata që kanë krijuar këtë raport kaq interesant. Lang ka vlerësuar raportin duke theksuar se po bëhet një punë jashtëzakonisht e mirë sa i përket kornizës për bizneset.

Anketa e Perceptimit të Investitorëve në Kosovë është zhvilluar ndërmjet muajve gusht dhe nëntor 2013. Anketa është realizuar me 103 biznese, nga të cilat 72 kanë qenë investitorë aktualë dhe 31 ishin investitorë të mundshëm.

Mostra e kompanive ishte një total prej 24 vendeve nga të cilat më të përfaqësuarat në mostër janë Turqia dhe Zvicra me nga 12 për qind secila, e ndjekur nga Gjermania me 11 për qind, dhe kompanitë kroate të cilat përfaqësohen me 9 për qind në mostër, kompanitë italiane dhe kompanitë me selinë e tyre në Kosovë nga 8 për qind secila etj.

Nga të gjithë investitorët aktualë të intervistuar, 57 për qind kanë investuar në Prishtinë, ndërsa 43 për qind kanë investuar jashtë kryeqytetit. Shumica e investitorëve aktualë kanë kryer investimet e tyre në vitin 2013 dhe 2011, pasuar nga ata që kanë bërë investime në vitin 2010 dhe 2007.

Madhësia mesatare e investimeve të raportuara nga investitorët aktualë është rreth 2.8 milion euro, me disa investime të raportuara deri në 10 milion euro.