CH-Ballkani

Kosova nderon futbollistin Shkodran Mustafi

Medalja e artë e Botërorit, Mustafi tha fitoren në Brazil ia ka dedikuar gjithë popullit shqiptar. Ai në Prishtinë ënjtë pritur nga Jahjaga dhe Krasniqi

Futbollisti shqiptar nga Maqedonia që mbrojti ngjyrat e përfaqësueses së Gjermanisë në Brazil, Shkodran Mustafi është pritur ngrohtësisht nga liderët institucional dhe simpatizantët në Kosovë. Medalja e artë e Botërorit, Mustafi tha fitoren në Brazil ia ka dedikuar gjithë popullit shqiptar.

Mustafi u prit nga presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga e cila e përgëzoi futbollistin nga Maqedonia për suksesin në kombëtaren gjermane dhe i uroi suksese në të ardhmen.

Shkodran Mustafi u takua edhe me Ministrin e Kulturës dhe Sportit, Memli Krasniq, i cili gjithashtu e përgëzoi yllin e Sampdorias për suksesin e treguar në futboll, duke u bërë lojtari i parë shqiptar në histori, që fiton Kampionatin Botëror në Futboll.

Ai tha se Mustafi dhe gjithë futbollistët tjerë shqiptarë që luajtën në Brazil kanë bërë krenar gjithë popullin shqiptar. “Ne kemi qenë të gjithë me juve. Paraqitjet tuaja shumë të mira dhe ky sukses i madh, historik, na ka bërë vërtetë krenar dhe për neve, për të rinjtë tanë, ju jeni inspirim”, tha ministri Krasniqi.

Suksesi i Mustafit dhe gjithë futbollistëve tjerë shqiptarë që luajnë në garat evropiane e botërore, sipas Krasniqit, shërbejnë si një motiv për shumë futbollistë të rinj në Kosovë që të punojnë dhe arrijnë sukses të lartë në karrierën e tyre profesionale. Krasniqi shprehu optimizëm që edhe Kosova të marrë pjesë në kualifikimet për botërorin e futbollit në vitin 2018 që mbahet në Rusi.

Nga ana tjetër, Mustafi falënderoi ministrin për pritjen dhe u shpreh i nderuar që gjithë shqiptarët në mbarë botën e kanë përkrahur dhe i janë gëzuar suksesit të tij.

Ai tha se ky sukses i tij është edhe një dedikim për popullin e tij. Mustafi foli për ecurinë e karrierës së tij dhe planet për të ardhmen.

Shkodran Mustafi po i vazhdon pushimet në Gostivar të Maqedonisë. Ai thotë se po kënaqet në gjirin familjar, ndërsa deklarohet të jetë shumë i lidhur me kombin që i takon, edhe pse kishte zgjedhur të luajë për Kombëtaren e Gjermanisë, e jo për atë të Shqipërisë.